14 dhjetor 2014 – Humbja në ndeshjen ndaj Kukësit në shtëpi, ka vështirësuar edhe më shumë misionin e skuadrës së Teutës për një vend në Superiore edhe sezonin e ardhshëm. Ekipi i drejtuar nga Gentian Begeja, është vetëm katër pikë larg zonës së ftohtë dhe aty gara po bëhet shumë e ashpër, duke qenë se Elbasani ka arritur të fitojë ndaj Apolonisë dhe tashmë synon që të lërë pas vetes pikërisht Teutën, duke përfituar nga një ndalesë e durrsakëve në ndeshjen që ata do të kenë në mesjavë ndaj fierakëve. Në një situatë të tillë, Teuta ka një pozicion jo komod, pasi është katër pikë larg dy skuadrave që mbyllin tabelën e klasifikimit dhe një tjetër hap fals mund të mos jetë i tolerueshëm.
Në kampin durrsak e mendojnë një gjë të tillë dhe trajneri Begeja do të kërkojë nga lojtarët e skuadrës së tij, që të arrijnë të marrin me çdo kusht trepikëshin dhe të përmirësojnë sadopak pozitat e tyre në tabelën e klasifikimit në ndeshjen ndaj Apolonisë, një rival direkt në garën për mbijetesë. Trajneri në këtë ndeshje parashikohet të ketë të gatshëm të gjithë lojtarët dhe të ndërtojë një formacion fitues. Në fillim të kampionatit objektivat e skuadrës së Teutës ishin që të zinte një vend në Ligën e Europës, por ndryshe nga çfarë ishte planifikuar skuadra po rrezikon mbijetesën.





