26 maj 2015 – Teuta pritet që të pësojë riformatim. Ndryshimet do të nisin nga pankina e për të kaluar tek organika. Drejtuesit e klubit po punojnë për të ndërtuar një skuadër kompetitive për sezonin e ardhshëm. Për ta realizuar këtë, synojnë që të ndryshojnë jo pak nga kontingjenti aktual. Lëvizjet do të nisin me emërimin e trajnerit të ri, ndërkohë që pritet të mendohet për rinovimet e kontratave. Ndonëse nuk ka gjë zyrtare, flitet që aktualisht po punohet për përzgjedhjen e numrit një të pankinës dhe diskutohet për disa alternativa. Kandidat për të marrë drejtimin e ekipit është Gugash Magani, trajner i cili është i lirë aktualisht. Por pas nuk mbeten as Stavri Nica dhe Haxhi Ballghini. Do të jetë presidenti Hasanbelliu që do të vendosë, ndoshta shumë shpejt mbi teknikun që do t’i besojë pankinën për sezonin e ardhshëm, që mund të jetë një emër i përmendur deri më tani. Pritet që të rishikohen kontratat te Teuta. Një pjesë e mirë e lojtarëve që mbyllën sezonin, duke filluar nga kapiteni Rizvani, por edhe shumë të tjerë, në fund të muajit u skadon marrëveshja që i mban të lidhur me klubin. Burime nga skuadra durrsake theksojnë se do të ketë disa lojtarë, të cilët për sezonin e ardhshëm nuk do të jenë pjesë e skuadrës së Teutës. Por, baza e ekipit pritet të jetë pak a shumë e njëjta, me disa përforcime në repartet respektive: mbrojtje, mesfushë dhe sulm. Ditët në vijim, lojtarëve që u mbarojnë kontratat pritet të takohen me kreun e klubit për të diskutuar mbi të ardhmen e tyre.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/