Teuta po përgatitet për ndeshjen miqësore të radhës kundër Pogradecit. Skuadra e Gentjan Begejës ka zhvilluar dy seanca stërvitore në ditë, duke mos e ulur aspak ritmin.Ndërkohë, shorti ka vënë Teutën kundër Tiranës në javën e parë, një ndeshje që do të luhet më 7 shtator në stadiumin “Niko Dovana”, të Durrësit.Megjithatë, duke parë kalendarin e fazës së parë, java e katërt rezervon një përballje speciale, pikërisht Flamurtari-Teuta.Ish-trajneri i durrsakëve, Gugash Magani, drejton vlonjatët këtë sezon, ndërsa i biri i tij, Arturi, duket se mezi po e pret këtë takim.Ai nuk e fsheh dëshirën që të jetë protagonist që në start ndaj Tiranës dhe pse jo të fitojnë në Vlorë kundër babait të tij.Magani mendon se skuadra është forcuar dhe është më e mirë se në sezonin kur e drejtonte i ati.“Pas hedhjes së shortit kemi filluar të mendojmë rreth ndeshjeve që kemi për të luajtur, edhe pse ka kohë nga starti i kampionatit. Ndeshja e parë me Tiranën është delikate, por luhet mes dy ekipeve që kanë dhuruar spektakël gjithmonë.Por, ajo që më tërheq me shumë dhe e pres me padurim është sfida e javës së katërt, pikërisht ajo kundër Flamurtarit, ku përballë do të kem babanë tim.
Pas një sezoni të shkëlqyer që zhvilluam bashkë, tashmë do të jemi si kundërshtarë. Unë mendoj se kemi një ekip akoma më të fortë se në sezonin e ardhshëm, falë afrimeve që janë bërë.Edhe pse është larg, në atë ndeshje që do të luhet në Vlorë, uroj që të jem protagonist dhe pse jo të fitojmë.Megjithatë, do t’i marrim gjërat sipas radhës, duke nisur nga java e parë”, është shprehur fillimisht Magani. I pyetur nëse e ndien mungesën e babait, ai shtoi: “Tani punoj më i lirshëm, pasi edhe kërkesat e tim ati ishin shumë më të mëdha, por ndoshta edhe presioni.Ndërsa tani punoj dhe luaj i qetë. Shpresoj të bëj më mirë se sezonin e shkuar, në mënyrë që të ndihmoj ekipin për të arritur objektivat.Skuadra po stërvitet mirë dhe nën drejtimin e Begejës, që ka futur frymë pozitive. Djemtë janë të mirëpërgatitur dhe uroj të bëjmë një nisje të mbarë”, ka përfunduar sulmuesi peqinas i Teutës.





