Pavarësisht se merkato nuk ka nisur zyrtarisht, drejtuesit e Teutës janë në kërkim të një sulmuesi cilësor, i cili do të përforcojë edhe më shumë repartin e avancuar. Në përfundim të dy fazave të para të kampionatit, durrsakët kanë bërë një ecuri të mirë, duke qenë në vendin e tretë me një diferencë të vogël nga ndjekësit më të afërt. Fitorja e fundit në kampionat ndaj Partizanit ka rikthyer qetësinë në skuadër dhe tashmë po mendohet për të ardhmen. Artur Magani deri më tani ka mbajtur peshën më të madhe në sulm, repart ky që pritet të plotësohet. Mësohet se drejtuesit janë në tratativa me disa futbollistë, por ende nuk ka emra konkretë. Nuk përjashtohet mundësia që zgjidhja të vijë edhe nga jashtë vendit, por për një gjë të tillë duhet pritur.

Deri më tani, durrsakët kanë arritur që të shënojnë 21 gola dhe të pësojnë vetëm 15. Artur Magani ka arritur të realizojë pesë gola, ndërsa menjëherë pas tij vjen Emiljano Musta me katër të tillë. Ndërkohë vetë trajneri Magani pak ditë më parë është shprehur se do të afrohen rreth tre lojtarë në merkaton e janarit, por nuk ka specifikuar emra. Tekniku ka arritur që të ndërtojë një grup mjaft të fortë, i cili arrin të fitojë ndaj çdo kundërshtari, pavarësisht renditjes apo përbërjes. Drejtuesit i kanë besuar projektit të trajnerit me lojtarë të rinj që, deri më tani, ka rezultuar i suksesshëm. Një gjë e tillë pritet që të aplikohet edhe në ndeshjet në vijim dhe, më konkretisht, gjatë merkatos së janarit.