Në dy sezonet e fundit të Kategorisë Superiore (2023/24 dhe 2024/25), përballjet mes Teutës dhe Tiranës kanë pasur një prirje të qartë. Durrsakët kanë marrë në dorë timonin e rivalitetit historik.

Në pesë ndeshjet e fundit mes tyre, Teuta nuk ka njohur humbje, duke regjistruar katër fitore dhe një barazim, me një golavarazh bindës 8-3 në favor të saj. Në sezonin e kaluar (2023/24), gjithçka nisi me fitoren 2-1, një ndeshje ku durrsakët shfaqën karakter dhe efikasitet në momente vendimtare. Seria triumfuese u vazhdua edhe në sezonin aktual 2024/25, ku skuadra e Teutës arriti të fitojë 3-1 në Durrës në tetor, 2-1 sërish në shtëpi në shkurt, si dhe 1-0 në transfertë në prill, ndërsa ndeshja e dhjetorit në kryeqytet përfundoi pa gola (0- 0).

Këto rezultate e kanë shndërruar Teutën në një “makth” për Tiranën në vitet e fundit, duke përmbysur raportin tradicional ku bardheblutë dominonin shumicën e dueleve. Në total, durrsakët kanë grumbulluar 13 pikë nga 15 të mundshme në këto pesë sfida, duke dëshmuar stabilitet, organizim dhe një mentalitet fitues që ka munguar në sezonet më të hershme.

Rivaliteti mes dy klubeve më me histori në Superiore ka hyrë në një fazë të re, ku Teuta tashmë shihet si superiorja në përballjet direkte. Nëse trendi vazhdon, durrsakët mund të flasin për një cikël të ri dominimi, në një prej dueleve më të vjetra të futbollit shqiptar.