Durrësi ka qenë zona më e prekur nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit. Kjo katastrofë natyrore bëri që futbolli të anashkalohej tërësisht. Askush nuk e kishte mendjen më te stërvitja, ndaj edhe Teuta e pezulloi atë që prej të martës. E megjithatë, pas 6 ditësh kanë vendosur t’i japin fund këtij makthi.

Ata do t’u rikthehen stërvitjeve në orën 15:00 në "Olympic Park" dhe kjo ndoshta do të jetë terapia më e mirë për të kaluar traumën. Me kampionatin që rifillon këtë të shtunë, “djemtë e detit” do të startojnë përgatitjet për javën e 14-të të Kategorisë Superiore.

Të besuarit e Bledi Shkëmbit, pas barazimit me Vllazninë do tentojnë që të bëjnë "autokritikën" përballë Skënderbeut. Grupi është më i plotë. Rustem Hoxha ka ezauruar pezullimin, ndërsa Arbër Çyrbja dhe Abdul Khalid kanë lënë pas dëmtimet. E megjithatë, mungesat janë të pashmangshme. Një nga liderët e mesfushës nuk luan dot. 

Sherif Kallaku mori të verdhin e 4-t në Shkodër e për rrjedhojë nuk do të zbresë në fushë kundër bardhekuqve.Teuta është dorëzuar pa asnjë kusht në 5 ndeshjet e fundit të këtij sezoni, ku ka humbur një ndaj Laçit dhe ka barazuar me Bylisin, Tiranën, Luftëtarin dhe Vllazninë. Me fitoren që mungon prej 18 tetorit, psikologjikisht “djemtë e detit” janë të rënduar.

Ndaj Skënderbeut fitorja është detyrim, jo vetëm për faktin që luajnë ndaj një skuadre që s’ka asnjë objektiv në kampionat, por mbi të gjitha luajnë në shtëpi, aty ku këtë edicion kanë marrë 60% të pikëve. Ndalesa e kampionatit i ka shërbyer stafit teknik për të rikuperuar të dëmtuarit. Sakaq, stadiumi "Niko Dovana" është më shumë se gati.

Gjendja e terrenit është e duhura për të pritur ndeshjen e kësaj jave.Sulmi vazhdon të jetë një problematikë për t’u zgjidhur. Durrsakët janë një skuadër që vendosen mirë në fushë dhe marrin pak gola, por edhe krijojnë raste të shumta shënimi, megjithatë deri tani asnjë prej sulmuesve nuk po e merr për dore ekipin, për ta çuar drejt sukseseve.