Teuta ka nisur përgatitjet, por një fillim i ri është edhe për Endri Vrapin. Kampioni i shumfishtë, që nga Elbasani e deri te Skënderbeu, Vrapi tashmë ka nisur një aventurë tjetër, atë të trajnerit.
Mbrojtësi i mirënjohur, biondi i krahut të djathtë, nga sot është ndihmës i trajnerit Bledi Shkëmbi tek Teuta e Durrësit. Një staf i ri në moshë, duke përfshirë dhe Bledian Rizvanin e Iris Selimin, premtojnë për një skuadër që ka objektiva të mëdha. Trajneri Shkëmbi ka një mision të vështirë përpara: të ndërtojë një skuadër kompetitive për sezonin e ri. Burime pranë klubit bëjnë me dije se Teuta është në negociata me një sulmues nga Senegali, i cili ka qenë pjesë e të rinjve të klubit të madh italian, por emri i tij mbahet sekret nga drejtuesit. Gjithashtu klubi po punon për ta përforcuar skuadrën në të gjitha repartet.
Po, kush është Endri Vrapi? I lindur më 23 maj të vitit 1982 (36), e nisi karrierën në ekipet e moshave në Tiranë për të përfaqësuar ekipin e Shkëndisë së Tiranës në rininë e tij dhe në vitin 2002 për herë të parë në Superiore Partizanin, më pas karriera e tij vijoi në Lushnje, Elbasan, Teuta, Tirana, Dinamo, Besa, Skënderbeu, Vllaznia e për ta mbyllur në Kosovë te Liria e Prizrenit. I aktivizuar dhjetë herë me kombëtaren kuqezi, ndërsa nuk ka shënuar asnjë gol. Megjithatë, Vrapi ka ngritur trofe pothuajse kudo ku ka luajtur.
Ai ka bërë edhe njoftimin e tij zyrtar, ku tregon tërheqjen nga futbolli i luajtur dhe nisjen e karrierës si trajner, duke e prezantuar vetë veten dhe planet për të ardhmen e tij. Tani jo më mbrojtësi Vrapi, por trajner Vrapi!
“Përshëndetje miqtë e mi. Nga sot jam shkëputur nga futbolli i luajtur, por kam nisur një aventurë të re si zëvendëstrajner i ekipit të Teutës. Dua të falënderoj stafin e ekipit që më dhanë besimin për të qenë pjesë e punës së tyre me në krye Bledi Shkëmbin, Iris Selimin dhe presidentin Edmond Hasanbelliu”.





