Dikush mund të mbështesë teorinë se Teuta ka pasur krahët e ngrohta dhe e ka fituar me mik luftën për mbijetesë. Sigurisht suksesi i fundit ndaj Skënderbeut do të ishte një mision i pamundur nëse kampionët do të performonin me aktorët kryesorë, dhe këtë e pranoi me sinqeritet edhe tekniku i këtij ekipi Gentian Begeja në fund të sfidës.

Megjithatë Teuta nuk po i vjedh asgjë askujt. Skuadra e drejtuar me krenari nga Gentian Begeja kishte dy prova zjarri, aty ku do të vendosej në kuptimin figurativ jeta dhe vdekja e kësaj skuadre. “Djemtë e Detit” me thikë ndër dhëmbë gjunjëzuan Vllazninë në atë sfidë e cila u mbiquajt jo pa lidhje një finale mbijetese.

Karakteri i fortë nuk del mbi sipërfaqe kur dominon, por kur je nën ethet e “gijotinës”, në atë çast ky grup lojtarësh u ngrit në këmbë dhe në sekondat e fundit të një tjetër dueli të rëndësishëm si ai ndaj Kamzës gjeti atë pikë te fundit e të pashpresuar të energjisë për të mos dorëzuar armet. Atëherë  përsë nuk e meriton Teuta?!

Vllaznia e Kamza i kishin mundësitë të thërrmonin themelet e këtij ekipi , pse nuk arritën ta bënin?! E thjesht, nuk mundën. Teuta ndoshta nuk është skuadra më tërheqëse, megjithatë lojtarëve si Arbër Çrybja, Ardit Hila e Esin Hakaj do ti kërkonin dorën shumë klube shqiptare, madje ka interes edhe përtej kufijve.

Është e vërtetë që durrsakët triumfuan ndaj Partizanit e Kukësit, diçka që do të konsiderohej utopike jo më shumë se dy muaj më parë, por motivimi në futboll ka përcaktuar jo pak herë historinë e ketij sporti dhe nuk duhet një inteligjencë superiore për të kuptuar se etja e djemve të Begejës ishte shumë më e madhe se ajo e Partizanit dhe e Kukësit që zbriti në Durrës me biletën europiane të prenotuar me kohë.

Të gjithë kanë të drejtën e bekuar për të dhënë opinionin e tyre se cila skuadër duhet apo duhej te mbijetonte, por një gjë është e sigurt, që “Djemtë e Detit” e kanë fituar me zemër të drejtën për të buzëqeshur në këtë klimë pranverore.