Teuta u jep fund ditëve italiane. Ekipi ka mbyllur fazën përgatitore dhe rikthehet në Durrës, por këtë herë me pamje të re. Pjesë e grupit janë bërë edhe dy blerjet e fundit, konkretisht Onyeka dhe Latif. Por veç afrikanëve, skuadrës i është shtuar edhe një kampion në përbërje. Ish-futbollisti i Kukësit, Nijas Lena, do të mbrojë ngjyrat e Teutës për sezonin e ri. Me këto afrime djemtë e detit po forcohen, ndërsa veç të rinjve të talentuar, tashmë nuk do u mungojë as eksperienca.Gugash Magani, me shumë mundësi, do të kërkojë edhe ndonjë afrim tjetër, pasi një ekip që pretendon, sigurisht që duhet të ketë edhe mundësi zgjedhjeje. Por, nuk përjashtohet mundësia që të ketë largime të tjera. Drejtuesit janë në kërkim të një sulmuesi tjetër me eksperiencë, i cili duhet të shndërrohet në liderin e durrsakëve.
Ndërkohë, behet e ditur se ekipi, më datë 15 gusht do niset në drejtim të Ohrit, për etapën e dytë të fazës përgatitore.U zbulua dy ditë më parë edhe emri i një tjetër futbollisti, që durrsakët po negociojnë për ta afruar. Bëhet fjalë për 24-vjeçarin nga Gana, Erik Uarden, i cili ka një eksperiencë të gjatë në kampionatin grek. Sulmuesi mund të luajë në krahun e majtë dhe në qendër të repartit ofensiv. Ai është produkt i akademisë së Selta Vigos, teksa në vitin 2011 është aktivizuar me skuadrën e dytë të klubit spanjoll.Uarden është bërë i njohur në ligën e dytë greke te Foqikos, Iraklis, Olimpiakos Volos dhe Kalithea. Në sezonin më të mirë, ganezi numëron 9 gola të shënuar. Në Superligën greke ai ka luajtur vetëm 4 ndeshje me fanellën e Levadhiakosit në sezonin 2013-2014. Mësohet se durrsakët po negociojnë me agjentin e lojtarit dhe pritet përgjigja përfundimtare.