Një merkato thuajse në limitet e së përkryerës, mund të konsiderohen lëvizjet e kryera nga bregdetarët në këtë seksion dimëror. Me lojtarë, të cilët ishin pikasur më parë nga klubi, por gjithashtu edhe nga stafi teknik dhe me afrimin e bujshëm të Armando Vajushit, merkato e durrsakëve është pasuruar dhe kompletuar, që tani mund të konsiderohet e mbyllur.

Duhet theksuar që një merkato e tillë kishte kohë që nuk ndodhte në Durrës dhe ka rritur së tepërmi ambicien dhe besimin jo vetëm në ambientin blu, por në të gjithë qytetin. Starti i këtij edicioni, pa një skuadër krejt ndryshe nga një vit më parë, ku vetëm disa elementë “i mbijetuan” ndryshimeve të mëdha që ndodhën në Durrës.

Me ardhjen e teknikut Shkëmbi, ndryshuan jo vetëm objektivat e klubit, por edhe sistemi i lojës, duke u bazuar në ndërtimin e një skuadre që dhuron futboll të bukur dhe me rezultate. Natyrisht që edhe pas kësaj merkatoje Teuta thuajse do të pësojë një minirrotacion në formacion pas afrimeve të reja.

Në përbërjen e organikës së klubit, tani mund të gjesh “dy skuadra” të gatshme për të zbritur në fushën e lojës, gjë që ndikon drejtpërdrejt në rritjen e konkurrencës. Diçka e tillë pa dyshim që do të ndihmojë ekipin në performancën e tij, ku çdo futbollist, duhet ta meritojë fanellën e titullarit dhe mbi të gjitha shton dhe “dhimbjet” e kokës për teknikun me organikën e pasuruar.

Nëse bëjmë një rezyme të kësaj merkatoje, të vetmet reparte ku klubi nuk ka ndërhyrë janë porta dhe mesfusha, ndërsa në mbrojtje dhe në sulm thuajse është riformatuar e gjitha. Por nëse nuk është ndërhyrë, nuk do të thotë se nuk ka alternativa për çdo repart, me lojtarë të gatshëm në çdo moment për të dhënë kontributin për skuadrën bregdetare.

Gardiani Isli Hidi jep sigurinë e plotë dhe asnjëherë nuk janë vendosur në diskutim cilësitë e tij, por gjithashtu Teuta disponon një tjetër portier me cilësi si maqedonasi Çeleski. Nëse zbresim më poshtë do të shohim se rreshtimi i mbrojtjes ndryshon dhe dhuron një nga mbrojtjet më hermetike dhe më me eksperiencë të të gjithë kampionatit, që ka në qendër kapitenin Tefik Osmani dhe Ditmar Bicajn, duke u mbështetur nga krahët nga dy afrimet e reja, Renato Arapin në krahun e majtë dhe Erlis Frashërin në krahun e djathtë.

Edhe në këtë repart alternativat janë të shumta si Fabio Beqja, Silvestër Shkalla dhe Esin Hakaj. Mesfusha do të jetë sërish funksionale me treshen: Sidibe, i cili është një digë e vërtetë përpara mbrojtjes, Kallaku që ka klasin e duhur për të mbajtur mbi “shpatullat” e tij përgjegjësinë e mesfushës durrsake dhe shpejtësinë e Traores që ka dhënë sigurinë e duhur në këtë edicion.

Një repart që sheh dy alternativa me shumë potencial si Roni Gashi dhe Florent Avdyli. Afrimi i 27- vjeçarit shkodran, Armando Vajushit dhe kroatit Tomislav Bushiç, duket se do të ndryshojë rreshtimin e ekipit në vijën e sulmit durrsak, ku do të plotësohet me lojtarin më në formë të momentit te bregdetarët, Gerhard Progni.

Edhe në këtë repart alternativat janë të shumta, me shumë kualitet dhe cilësi, por edhe me lojtarë premtues si i riu Vila apo shkodrani Vecaj dhe Kamara. Pa harruar kryeshënuesin e ekipit dhe kampionatit deri në këto momente, ganezin Amadou Latif.

Gjithashtu nuk mund të përjashtohet mundësia se sulmi mund t’i besohet edhe dyshes Latif-Bushiç, por gjithsesi Teuta ka përpara një gjysmë të dytë edicioni që e sheh me shumë optimizëm dhe ka nisur që tani të trembë çdo kundërshtar të mundshëm dhe detyra kryesore bie mbi stafin teknik për të rreshtuar skuadrën në fushën e lojës dhe të rikthehet te fitorja e munguar në kampionat.