Koha e paktë deri në rifillimin e kampionatit e ka bërë stafin teknik të Teutës që të punojë intensivisht për të korrigjuar disa gjëra në skuadër para sfidës me Elbasanin. Durrsakët nuk e mbyllën në mënyrën më të mirë 2024-ën dhe trajneri Martini është munduar të rritë sa më shumë gjendjen psikologjike të futbollistëve.

Fokusi ka qenë po ashtu te përmirësimi i lojës mbrojtëse, duke ditur faktin që Teuta ka pësuar shumë gola dhe kjo ka ndikuar në rezultatet e saj.  “Djemtë e detit” synojnë të shkojnë në transfertën me Elbasanin në gjendje optimale dhe me objektivin e qartë për të mos dalë pa pikë.

Gjatë kësaj periudhe në skuadër ka pasur disa lëvizje, janë afruar Gjinollari dhe Beshiraj, si dhe është larguar Ardit Peposhi. Drejtuesit e skuadrës durrsake kanë në planet e tyre edhe dy afrime të tjera, që mund t’i takojnë mbrojtjes, por gjithçka do trë jetë më e qartë në ditët në vazhdim.

Trajneri Martini pritet të ketë një skuadër më të kompletuar për gjysmën e dytë të sezonit. Ergis Arifi është rikuperuar nga dëmtimi dhe Teuta pritet të jetë e plotë për sfidën e së shtunës kundër Elbasanit. Në dyshim mbetet vetëm Emiljano Vila, i dëmtuar që në ndeshjen e fazës së dytë ndaj Bylisit. Ai është një lojtar më shumë eksperiencë dhe Teuta ka nevojë për shërbimet e tij.