Teuta vijon përgatitjet për supersfidën e së shtunës kundër Partizanit. Lajmi i mirë për trajnerin Edi Dobi është se infermieria është bosh dhe ai ka në dispozicion të gjithë grupin e lojtarëve. Elementë të rëndësishëm të skuadrës durrsake, të cilët kanë qenë në ritëm dhe nuk kanë pasur dëmtime, janë rikuperuar dhe janë gati në aspektin fizik, mes tyre edhe Torraj, i cili po gjen formën e duhur pas një periudhe të vështirë.
Te Teuta kjo përballje po përgatitet me optimizëm. Pavarësisht se për blutë do të jetë ndeshja e parë zyrtare pas 3 muajsh, në kampin durrsak mbizotëron vetëbesimi dhe ndeshja shihet si një sfidë ku Teuta hyn për fitore. Ndërkohë, trajneri Dobi po punon mbi taktikën anti-Partizani dhe në ditët në vijim pritet të kristalizojë formacionin titullar. Blutë e shohin këtë ndeshje si një hap tjetër në rrugëtimin e tyre, duke synuar që presionin ta kalojnë te rivalët dhe vetë të shkojnë për tri pikët e plota.
Teuta ndahet me David Gjinollarin, pritet afrimi i një sulmuesi. Merkatoja e Teutës vijon të jetë e lëvizshme. Pas disa afrimeve të fundit, durrsakët kanë regjistruar edhe një tjetër largim. Futbollisti David Gjinollari ka mbyllur bashkëpunimin me klubin këtë të martë, duke u bërë lojtari i katërt që largohet nga “Djemtë e Detit”. Vendimi erdhi si pasojë e hapësirave të pakta që lojtari pati gjatë këtij sezoni, ku minutat në fushë ishin shumë të kufizuara.
“Ishte një vendim i vështirë, por i pashmangshëm. Dua të falënderoj Teutën për mundësinë dhe tifozët për mbështetjen. Tani është koha për një sfidë të re në karrierë”, mësohet të ketë thënë Gjinollari pas ndarjes me klubin. Ai tashmë do të vijojë karrierën te Kastrioti. Në ditët e ardhshme pritet të konkretizohet edhe një afrimi i ri në repartin e sulmit, për të forcuar skuadrën në vazhdim të sezonit.





