Teuta mund të konsiderohet surpriza më e bukur e këtij edicioni, për faktin se “Djemtë e Detit ende nuk kanë treguar limitet e tyre. Vendi i dytë, me 4 pikë diferencë me Partizanin, lojë e bukur dhe sulmi më i mirë. Këto janë disa nga treguesit e ecurisë së deritanishme të “Djemve të Detit”, që këtë edicion po lundrojnë në drejtimin e duhur.

Era fryn në krahun e tyre, ndoshta kjo ndikuar edhe nga mënyra sesi kanë zgjedhur të lundrojnë në një kampionat kaq të ekuilibruar. Starti i sezonit të kaluar u ka shërbyer drejtuesve për të fituar eksperiencën e duhur. Një vit më parë, pas dy fitoreve radhazi në startin e sezonit, u përmend fjala titull në Durrës, në një edicion që më pas pati luhatje të frikshme. Megjithatë, situata ka ndryshuar.

Në aspektin ekonomik asgjë nuk mungon, me korrektesën maksimale që duket se i ka ngrohur të gjithë për të rikthyer emocionet e dekadave të shkuara në “Niko Dovana”. Bledi Shkëmbi ka ndërtuar një ekip simpatik, të rinj premtues të ndërthurur me eksperiencën e veteranëve, një skuadër që në ndeshje të caktuara di të jetë cinike për të arritur rezultatin, por edhe spektakolare për t’u dhënë mesazhet e duhura rivalëve.

Edhe në një situatë të tillë në Durrës ruajnë statusin: objektivi mbetet gjithmonë pjesëmarrja në kompeticionet e UEFA-s, edhe pse nën zë besojnë që ky grup mund të arrijë të rikthejë titullin kampion. Për ta bërë këtë, Teuta duhet të vazhdojë me stilin e vet, ashtu si deri më tani, duke menduar për ndeshjen e radhës dhe ruajtur profilin e saj, edhe pse rezultatet dhe loja flasin për një skuadër të madhe.