Në vitin 228 para erës sonë nëse mbretëresha Teutë do kish pasur 2 gjeneralë me emrat Arapi e Hoxha e disa kolonelë të quajtur Frashëri, Kouro, Todorovski, Aleksi e Jackson, vështirë se do dorëzohej përpara perandorisë romake, sepse muret e kështjellës kurrë nuk do të binin.

Duke lënë mënjanë fantazinë e përzierjes së epokave, Teuta e futbollit po lufton për të pushtuar kështjellën që ka brenda gjerdanin e artë të kampionatit, diçka që vetëm një herë e ka bërë në 101 vite histori.

Gjithmonë është evidentuar soliditeti që ka në mbrojtje ky ekip dhe vlen për t’u nënvizuar sa herë del në pah se sa në perfeksion funksionon faza defensive tek “djemtë e detit”.

Kundër Vllaznisë si gjithmonë shumë pak gabime, edhe pse që në fillim një nga dy “ministrat” e mbrojtjes, kapiteni Renato Arapi u lagua i dëmtuar. Në vetëm 1 nga 8 ndeshjet e fundit në kampionat “flota durrsake” është goditur, ndodhi kundër Tiranës më 24 prill në atë humbje 0-2.

Nga 31 ndeshje që kjo skuadër ka luajtur deri më tani në Superiore këtë edicion, 20 herë ka dalë pa e parë topin në rrjetën e Frashërit, asnjë ekip tjetër i elitës shqiptare nuk mund të krenohet me një shifër të tillë. Vetëm 13 gola të pësuar në 31 takime, më pak se kushdo, për një mesatare prej 0,4 golash të pësuar për ndeshje.

Nëse bëjmë një xhiro të shpejtë në të gjithë rajonin e Ballkanit, pra Kosovë, Maqedoni, Bosnje, Mali i Zi, Rumani, Bullgari e Greqi, vetëm Olympiacosi ka pësuar kaq pak, por ka luajtur 5 ndeshje më pak, që do të thotë se mesataren e vetëm 0,4 golave të pësuar për ndeshje nuk e ka asnjë ekip në rajonin e Ballkanit.

“Mbrojtja fiton titujt”, artikulonte dekada më parë trajneri legjendar i Alabamës në futbollin amerikan Paul Bryant, teori që gjeti dëshmi të sakta edhe në praktikë në çdo epokë të sportit.

A do të vërtetohet kjo edhe në këtë sezon të Kategorisë Superiore?! Këtë do e mësojmë më 26 Maj, por deri më tani ajo mbrojtje i ka sjellë Teutës dy trofe, megjithatë asnjë prej tyre nuk ka qenë trofeu i kampionit…