Teuta, kampione në fuqi, ka zhgënjyer deri në këtë pikë të sezonit, teksa ndodhet shumë larg vendeve të para, e sikur të mos mjaftonte u mund në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë. Ekipi bregdetar u kurorëzua me titullin kampion më pare, por nuk po e përligj statusin që zotëron, teksa këtë sezon ka treguar mungesë stabiliteti.
“Djemtë e Detit” këtë edicion nuk kanë mundur që të marrin asnjëherë dy fitore radhazi, ndërsa një kombinim të tillë mund ta gjejmë vetëm nëse përfshijmë dhe ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, saktësisht në fillim të këtij viti, kur mundi dy herë radhazi skuadrën e Skënderbeut.
Gjatë këtij edicioni, Teuta ka marrë 14 fitore në total, 10 prej të cilave kanë qenë me rezultat minimal. Nëse do të flasim për sukseset në Abissnet Superiore, ekipi bregdetar ka marrë 7 fitore, në 24 ndeshjet e luajtura deri më tani, por 6 prej tyre kanë qenë me rezultatin minimal 1-0, ndërsa kanë shënuar 3 gola vetëm kundër Kukësit, në triumfin 3-2. Suksese tepër të rëndësishme që i kanë krijuar një distancë sigurie me skuadrat që luftojnë për mbijetesë, por në anën tjetër kanë qenë fitore që i kanë mbajtur “Djemtë e Detit” deri në momentet e fundit në ankth.
Llogaritë në kampionat janë mbyllur, teksa gjysma e sipërme e tabelës është gati e paarritshme, pasi diferenca me Kukësin e vendit të tretë është 12 pikë dhe shtegu i vetëm për të shpëtuar sezonin do të jetë ndeshja e kthimit në Kupë ndaj Laçit.
Një mision tepër i vështirë, pasi duhet të zhvlerësojnë suksesin 1-2 të kurbinasve në “Niko Dovana”, për të prekur finalen e për të shpresuar që ta mbyllin sezonin me trofe e të marrin një biletë për në Conference League edicionin e ardhshëm, por duke parë shifrat, do të jetë një mision tepër i vështirë për të besuarit e Renato Arapit, me “Djemtë e Detit” që do të tentojnë të kapin anijen e fundit drejt për të përligjur statusin e kampionit që e zotërojnë.