DURRES – Nënkampionia e Shqipërisë, Teuta, më në fund ka gjetur drejtuesin e saj të ardhshëm. Teuta do të drejtohet nga tekniku Gugash Magani për pjesën e mbetur të sezonit. Lajmin e ka konfirmauar vetë numri një i skuadrës bregdetare, presidenti Edmond Hasanbelliu, i cili theksoi gjithashtu se është vënë në kërkim edhe të një mesfushori, transferim ky që me shumë gjasa do të kryhet këto ditë.

Nuk bëhet e ditur se kush është emri i lojtarit që do të veshë fanellën e nënkampiones së vendit, ndërsa deri më tani janë afruar pranë ekipit Osmani, Muriqi, Tepshi dhe Stafa. Së bashku me ndihmësin e tij, kosovarin Sedat Pajaziti, Magani do të përgatisin skuadrën për ndeshjen e radhës atë që bregdetarët do të luajnë për kupë, ku ndonëse i kanë prerë shpresat për të kaluar më tej, “djemtë e detit” kanë premtuar se do të përpiqen të paraqiten sa më mirë për tri takimet e mbetura.

Presidenti durrsak, është përpjekur edhe më herët për ta sjellë Maganin tek Teuta, por transferimi i tij u realizua vetëm tani. Pas eleminimit nga kupa, Hasanbelliu kishte premtuar se do të ndërhynte fuqishëm në merkaton e dimrit dhe do ta ndryshonte skuadrën rrenjësisht. Në fakt kështu ka ndodhur.

Organika e skuadrës është forcuar me lojtarët mjaft cilësorë, si: Osmani, Muriqi, Stafa, Tepshi, ndërsa pritet edhe një goditje e madhe në repartin e mesfushës. Ky repart nuk e ka bindur me paraqitjen e tij presidentin Hasanbelliu, ndaj shefi i skuadrës nënkampione, pohoi se po përpiqet të gjejë një lojtar cilësor për këtë repart.