Pas eliminimit nga Europa League, tek Teuta po mendojnë për sezonin e ri. Skuadra durrsake ka marrë pushimet pas takimit me Ventspils për t'u rikthyer më pas në fillim të gushtit, periudhë që do të shërbejë për të përgatitur ekipin për edicionin e ri që nis më 24 gusht.
Për të pasur një ekip solid duhet të ketë edhe një merkato të tillë dhe ata që janë “zgjuar” aktualisht janë vetëm drejtuesit e bregdetarëve. Mbyllja e marrëveshjeve me futbollistë të rinj, por edhe ato të organikës janë vetëm disa nga detyrat e tyre në këtë start sezoni.
Fillimisht, Teuta po mendon të konsolidojë lojtarët aktualë dhe të parët që pritet të rinovojnë janë dy mesfushorët, Sidibe dhe Vuçaj. Paraqitjet mjaft të mira në sezonin e fundit kanë bindur durrsakët për t’i ofruar një kontratë të re dyshes, e cila ishte thelbësore në rrugëtimin e Teutës drejt Kupave të Europës. Natyrisht, kushtet financiare do të përmirësohen ndjeshëm, teksa pritet që të firmosin një kontratë 2-vjeçare.





