21 janar 2014 – Teuta ka afruar 12 lojtarë disa prej të cilëve emra të njohur. Kështu janë afruar mesfushori Idriz Batha, i cili vjen në formë huazimi nga Besa. Gjithashtu portieri me origjinë shqiptare, Pajtim Badalli, që ka qenë pjesë e Luganos në Zvicër së fundmi. Interesant është fakti që portieri do të ketë te Teuta edhe vëllanë e tij. Bëhet fjalë për Durim Badallin, i cili është 23 vjeç dhe luan si mbrojtës i majtë. Ai vjen nga skuadra e Ligës së Tretë zvicerane, FC Oberallis Naters. Afrimi tjetër është Aleksandar Bezmareviç, një mesfushor 20-vjeçar nga Mali i Zi, që mbylli sezonin te Sutjeska e Nikshiqit. Ndërkohë, risia është mesfushori italian, Luka Moskatielo. Ky i fundit vjen nga FC Mendrisio në Zvicër, por ka një të kaluar te Çezena në Itali, skuadra ku është aktivizuar edhe sulmuesi i shquar shqiptar, Erjon Bogdani. 22- vjeçari Moskatielo ka qenë pjesë edhe e grupmoshave të Fulhemit në Angli, përpara se të transferohej te Çezena. Përforcimi tjetër i Teutës është 30- vjeçari argjentinas, Ruben Çeko. Sulmuesi nuk është i panjohur në Shqipëri, pasi në vitin 2009 ka qenë pjesë e Dinamos, por karriera e tij te blutë zgjati shumë pak. Ajo ka nisur te klubi i famshëm Boka Xhunior në Argjentinë, ndërsa në pjesën e parë të këtij sezoni është aktivizuar në Itali me klubin e Serisë D, Ragusa. Po kështu i afruar tjetër është senegalezi 18-vjeçar Maodo Malik Mbaye, i cili është pjesë e klubit të Kievos në Serinë A i cili i është bashkuar sulmuesit tjetër senegalez, Amadou Samb, që ka disa javë që stërvitet me Teutën dhe është konfirmuar si përforcim. Gjithashtu Samb ka qenë pjesë e Kievos. Si afrime cilësohen edhe mesfushorët Eni Imami e Behar Berisha. I pari vjen pas një eksperience të shkurtër në Zvicër te GC Biaskesi. Imami është grumbulluar edhe me Kombëtaren U-21 të Shqipërisë. Nga ana tjetër, Berisha së fundmi ka luajtur për Luzernën në Zvicër. Por dy afrimet më të bujshme tek durrsakët janë Shala dhe Kalu. 30 vjecari Rijat Shala së fundmi ka qenë te skuadrat zvicerane, Lugano e Porza, por i njohur është bërë në Itali disa vite më parë. Në këtë të fundit ai është aktivizuar me ekipe si Salernitana, Foxhia, Kaljari, Taranto dhe Novara, por pa mundur të debutojë në Serinë A. Këtë mundësi e ka pasur me Kaljarin në sezonin 2007-2008, por pasi luajti në një ndeshje të Kupës së Italisë, Shala u dëmtua dhe qëndroi gjatë jashtë fushës. Mesfushori kosovar në të kaluarën ka luajtur 26 ndeshje për Kombëtaren U- 21 të Zvicrës. Po kështu ai ka luajtur me lojtarë të njohur në Zvicër si Behrami, Xhemaili, Gokhan Inler, Stefan Lihshjteiner e Reto Ziegler. Afrimi tjetër i bujshëm ka qenë sulmuesi nigerian Ikeçuku Kalu, i cili në sezonin 2007-2008 ka qenë pjesë e Sampdorias. 29-vjeçari e ka nisur karrierën te Sampdoria në vitin 2002, por më pas është dhënë në formë huazimi te Pro Patria dhe Piza në Serinë C1. Me këto skuadra sulmuesi shtatshkurtër, por shumë i shpejtë, arriti të shënonte vetëm 6 gola. Më pas nigeriani u transferua në Zvicër, sërish i dhënë në formë huazimi nga Sampdoria, këtë herë te Kiaso. Në këtë të fundit Kalu ka shkëlqyer, duke u aktivizuar për dy sezone. Sulmuesi arriti të shënojë 28 gola në 44 ndeshje të luajtura me zviceranët. Duke parë formën e mirë të lojtarit, Sampdoria e riktheu në skuadër. Kalu debutoi në Serinë A më 10 nëntor të vitit 2007, pikërisht në ndeshjen Sampdoria-Empoli 3- 0. Gjatë këtij sezoni ai luajti vetëm në 5 takime, pa shënuar ndonjë gol. Në pesë vitet e fundit karriera e nigerianit është përqendruar në Zvicër me ekipe si Kiaso dhe Belinzona. Me afrimin e nigerianit duket se Teuta do të ketë një sulm shumë të frikshëm për pjesën e mbetur të sezonit.
Teuta, merkato cilësore që shton ambicjet për trofe
Na bëni like ne facebook:
Na ndiqni ne rrjetet tona sociale:
Të ngjashme
Të fundit
Bill Clinton thyen heshtjen pasi i dalin fotot nga dosja ‘Epstein’
Artan Hoxha: Ergys Agasi në rrezik për t’u eliminuar nga bota e krimit, di shumë gjëra!
Emërimi i zv/ministrit të mbrojtjes/ Meçollari: Detyrat që mbante në portin e Durrësit, kur drejtohej nga Vengu
Horoskopi ditor, 20 dhjetor 2025





