23 janar 2015 –  Të gjitha klubet e Superiores kanë ndjekur një politikë të caktuar në këtë merkato janari, në funksion të objektivave që kanë për këtë sezon futbollistik. Në këtë këtë kontekst, drejtuesit e Teutës së Durrësit, duke parë distancën e konsiderueshme me skuadrat që luftojnë për një vend në Kupat e Europës, kanë preferuar te afrojnë në skuadër lojtarë me eksperiencë në elitën e futbollit shqiptar, për t'i dhënë më shumë ekuilibër lojës në të gjitha fazat e saj.

Në mbrojtje, "Djemtë e Detit" i besojnë aftësive të Julian Brahjes, që në mungesa të hapësirave në formacion shkëputi marrëdhëniet me Kukësin, ku u aktivizua për dy vite e gjysmë, për të qenë lider në prapavijën durrsake. Në mesfushë do ta dirigjojë lojën Bekim Kuli, një njohje e vjetër për durrsakët, i cili gjatë fazës së parë u aktivizua me Besën në Kategorinë e Parë, ndërsa në sulm rikthehet Mirel Cota, që kërkon shkëlqimin e dikurshëm në "Niko Dovana". Nëse këtyre emrave u shtojmë dhe mbrojtësin Shaqir Stafa, kuptohet qartë se drejtuesit e Teutës nuk kërkojnë më të eksperimentojnë, në një sezon ku në radhë të parë synohet sa më shpejt sigurimi i mbijetesës, pasi praktikisht është thuasje e pamundur të rivalizojnë për një vend në Kupat e Europës.