Teuta po zhvillon fazën përgatitore në Pogradec, dhe krahas përgatitjeve drejtuesit po mendojnë edhe për zhvillimin e ndonjë ndeshjeje miqësore. Pasi realizuan dy të tilla në Durrës ku u përballën me Flamurtarin dhe Erzenin, tashmë është gati përballja tjetër.
Ajo do të zhvillohet ndaj Dritës së Gjilanit ditën e enjte në stadiumin e Pogradecit prej orës 18:00. Skuadra kosovare po zhvillon fazën përgatitore në Ohër, dhe afërsia mes dy qytetve ka bërë që të dyja skuadrat ta shfrytëzojnë këtë dhe të përballen me njëra-tjetrën.
Faza përgatitore në Pogradec është etapa e dytë e fazës përgatitore për durrsakët, teksa kujtojmë se, para ndeshjeve në Ligën e Europës, ishin në Austri. Por këtë herë ka ndryshime edhe në staf, pasi vendin e Julian Ahmatajt e ka zënë Gentjan Begeja.
Rizvani, Moçka, Rexhepaj, Shkalla, E.Hoxha, Kotobelli, R. Hoxha, Borshi, Shehi, Beqja, Hodo, Çyrbja, Lika, Hila, Musta, Cmajcanin, Lamcja, Magani, Mara, Musta, Gripshi dhe Raboshta janë lojtarët që janë në Pogradec, ndërsa gjatë rrugës pritet që grupit t’i bashkohet edhe Nikolas Napol. Akordi me sulmuesin e lindur në Francë, por me kombësi blege është arritur tashmë, ndërsa klubi pret vetëm që ai të “zbarkojë” në tokë shqiptare.





