Teuta ka dhënë dje një tjetër sinjal se do të jetë një “kockë e fortë” në sezonin e ri. Skuadra e trajnerit Gugash Magni ka fituar me rezultatin 3-1 miqësoren me Bylisin, takim i cili u zhvillua në stadiumin e Kavajës. Ky takim ka rishfaqur pas kaq vitesh në tribunën e stadiumit “Besa” dyshen e presidentëve dhe miqve të mirë, Hasenbelliu i Teutës dhe Bizhdili i Besës.Takimi u gjykua nga dy arbitra të ndryshëm, ku në pjesën e parë kryesor ishte Klodian Shaini, ndërsa në të dytën Xhenald Rada.

Teuta ka dominuar takimin, por siç e pranoi edhe vetë trajneri Magani pas ndeshjes, durrsakët shpërdoruan mjaft raste shënimi përpara portës së skuadrës së trajnerit Devolli.Teuta e nisi takimin duke iu besuar kryesisht prurjeve të reja, ndërsa Bylisi është ende në fazën e kolaudimit për t’u përfaqësuar sa më mirë në Kategorinë e Parë. Durrsakët që në minutat e para dëshmojnë epërsi duke detyruar Bylisin të mbrohej.

Janë disa aksione model, që nisin nga mbrojtja me mbështetjen e Beqajt, dirigjimin e Lenës dhe goditjet e Çyrbjes dhe Oneke Osemenes. Në minutën e tetë, kroati Dediç shfrytëzon një krosim dhe brenda zonës ballshiote godet dhe shënon golin e parë. Teuta vijon të sulmojë dhe kapiteni Lena në minutën e 15-të godet në hyrje të zonës, e këtë herë gabon portieri Xhorxheviç, i cili nuk zotëron topin.

Bylisi mundohet të kundërsulmojë me Hyskon e Zisin, por mesfusha durrsake dhe dyshja e mbrojtjes Hrkaç- Shehi, ia ngushtojnë hapësirat. Por në minutën e 31-të, Zisi i shkëputet mbulimit të mbrojtësit kroat dhe me një goditje të bukur e ngushton rezultatin në shifrat 2-1.

Edhe pas golit të ballshiotëve vijon dominimi i durrsakëve, por pa shënuar. Pjesa e dytë nis me disa ndryshime te Teuta. Pavarësisht kësaj, edhe stoli durrsak duket i fortë, madje superioriteti është më i madhe se në 45 minutat e para.Përpos dominimit në fushë, në pah del shpërdorimi i rasteve për shënim nga ana e skuadrës së trajnerit Magani, pasi lojtarët duken sikur janë në garë, kush e kush të humbasë më shumë.Kjo gjë e nervozon shumë trajnerin Magani, ku u kujton lojtarëve se duhet të bëjnë detyrën edhe në miqësore. Gjithsesi, në minutën e 77-të Dediç shënon golin e tretë për Teutën në këtë takim, që ishte i dyti për kroatin ndaj Bylisit.