Teuta është shpallur fituese e Kupës së Shqipërisë në basketboll për meshkuj, pas fitores 90-84 ndaj Goga Basket, në finalen e luajtur në mjediset e Akademisë “Dhimitraq Goga”. Ndeshja gjatë gjithë kohës ishte e hapur, por asnjë ekip nuk u shkëput dot, duke e lënë të hapur emrin e fituesit. Vetëm në 30 sekondat e fundit të ndeshjes Teuta arrin të shkëputet.
Teuta në fund nisi festën me rezultatin 90-84 pikërisht në shtëpinë e rivalëve të tyre. Një sukses më se i merituar i Teutës në derbi, ndaj një Goge që u shfaq jo në lartësinë e duhur, duke pësuar edhe disfatën e parë për edicionin 2021. Skuadra e Nikola Milatoviç mori trofeun e parë sezonal, ndërsa e dërgon në 4 numrin e Kupave të fituara në historinë e klubit.
Njeriu i ndeshjes ishte pa diskutim Ogden, lojtar i afruar tek Teuta javët e fundit. Amerikani zhvilloi një provë të jashtëzakonshme, duke e udhëhequr skuadrën drejt suksesit, ndërsa shkëlqeu gjithashtu edhe Strauberri.





