Partizani harron si fitohet. “Të kuqtë” e drejtuar nga Giovanni Colella nuk marrin tre pikët që prej 21 dhjetorit në derbin ndaj Tiranës, teksa pasditen e sotme janë mposhtur në shtëpi 0-2 nga Teuta.

Në sfidën kur pritej kthesa dhe tentativa për të rimarrë kreun, kryeqytetasit zhgënjyen totalisht përballë një Teute që nën drejtimin e Edi Martinit ka rilindur dhe jo vetëm i është larguar fundit, por po sheh edhe nga Europa.

Dy gola “ish”-ësh hodhën në tapet Partizanin, teksa në pjesën e parë ishte Albion Marku që lëshoi një goditje spektakolare me të majtën dhe ndali topin në trekëndëshin e portës së Alban Hoxhës.

Të kuqtë vinin pas një humbje dhe një barazimi, teksa kërkonin të vinin në trysni Tiranën që kanë përpara në renditje, por pa emrat e rëndësishëm në mbrojtje dhe sulm lanë për të dëshiruar në të dy repartet. Edhe pse nisën me vrull sfidën, Teuta me kalimin e minutave ia doli të kontrollonte manovrën dhe gjeti golin me anë të Markut, pas një gjuajtje të shkëlqyer të tij që nuk i la kohë reagimi Hoxhës.

Pavarësisht ndryshimeve që u bënë nga trajneri Kolela, ishin përsëri durrsakët ata që gjetën rrjetën, këtë herë me penaltinë e Kallakut, duke vendosur sfidën në shinat e duhura pasi e kishin shumë më të thjeshtë të menaxhonin minutat e mbetura dhe furinë e të kuqve në fund të sfidës.