Teuta ka pësuar humbjen e parë në fazën përgatitore, teksa është mposhtur pasditen e sotme nga ekipi i Feronikelit me rezultatin 2-0. Të besuarit e Shkëmbit vinin pas një ecurie të mirë në këtë përgatitore, megjithatë në ndeshje të tilla rezultati është në plan të fundit. Feronikeli, që drejtohet nga trajneri Sulejman Starova zhvilloi një ndeshje të mirë, duke e vënë në vështirë ekipin e Shkëmbit.
Bregdetarët zbritën në fushë me formacionin më të mirë, me të cilin pritet të luajnë edhe në kampionat dhe pjesa e parë ishte e barabartë me raste nga të dyja skuadrat.
Në fraksionin e dytë pas zëvendësimeve të shumta lojës i humbi ritmi, me trajnerët që u dhanë mundësinë për të treguar veten edhe lojtarëve të rinj. Pak para fundit të këtij fraksioni të besuarit e Starovës e dërguan dy herë topin në rrjetën e Hidit, me Berat Ahmetin dhe Diar Prokshin, duke marrë një fitore morali.
Ky ishte testi i tretë i vërtetë për ekipin e Shkëmbit, pas miqësoreve me Kastriotin, ku fituan 4-1 dhe barazimi pa gola me Skënderbeun në Korçë. Në këtë sezon Feronikeli i Starovës kërkon titullin në Superligën e Kosovës dhe ky fakt tregon për forcën e kundërshtarit. Nga ana tjetër Teuta nuk është kolauduar akoma, pasi Shkëmbi ka vetëm 20 ditë në krye të ekipit.





