Teuta dhe Bylisi janë skuadrat që dalin në krye të kategorisë Superiore në pritje të asaj që do të bëjë Tirana në derbin e kryeqytetit me Partizanin që do të luhet të dielën. Në Niko Dovana të Durrësit skuadra e Bledi Shkëmbit iu imponua asaj nënkampione të vendit teksa e mposhti me rezultatin 1-0 Kukësin në një ndeshje ku të dyja skuadrat e mbyllën sfidën me 10 futbollistë pasi Maliqi për Kukësin e Teodorovski për Teutën u ndëshkuan me karton të kuq.
Në stadiumin “Niko Dovana” i cili u bë gati vetëm pak orë më parë për të pritur këtë takim, u zhvillua një 90-minutësh shumë i luftuar nga të dy skuadrat, me Teutën që shfaqej shpesh herë e rrezikshme në sulm, e ndihmuar edhe nga rikthimi i fantazistit Kallaku.
Nga ana tjetër, verilindorët e Shpëtim Duros vuanin jo pak terrenin e rënduar, që nuk i lejonte të dilnin në lojën e tyre më të mirë, ndërsa gjërat u bënë më të vështira në minutën e 72-të, kur mbrojtësi i djathtë Edis Maliqi mori kartonin e dytë të verdhë dhe la skuadrën me 10 futbollistë. Momenti kulminant i takimit ishte në minutën e 84-t, kur arbitri kryesor i takimit akordoi një 11-metërsh në favor të vendasve, për një faull të Obanor në dëm të Rustem Hoxhës, që pasoi edhe protestat e verilindorëve.
Megjithatë penalltinë e mori përsipër i rikthyeri Sherif Kallaku, që me një qetësi për t’u admiruar, arriti të çojë në krahun e djathtë portierin Xhika dhe në të majtë topin, duke gjetur rrjetën me vlerë 3-pikëshe për durrsakët.Skuadra e Kukësit tentoi reagimin, ndërsa në minutën e 88’ forcat në fushë u balancuan, pasi Teodorovski la Teutën me 10 futbollistë pas dy kartonëve të verdhë, por sërish kjo nuk mjaftoi që verilindorët të gjenin një gol dhe të shmangnin disfatën. Teuta ka marrë kështu 3 pikët nga kjo ndeshje me një fitore kjo që ndihmon ekipin e Shkëmbit, për objektivat që durrsakët kanë këtë vit, aq më tepër kur përballë tyre kishin Kukësin.





