Fitorja ka rezultuar një fjalë e huaj për Teutën, që në 4 sfidat e fundit midis kupës dhe kampionatit ka marrë dy barazime dhe dy humbje. Psikologjikisht kjo situatë ka rënduar djemtë e detit, pasi në kohëzgjatje është një muaj e gjysmë pa sukses, me fitoren e fundit që është arritur më 15 shkurt në “Niko Dovana” ndaj Kukësit.

Për këtë arsye, por edhe për faktin që Teuta synon të konsolidojë pozitat në vendin e tretë, 90-minutëshi i kësaj jave shihet si një mundësi e mirë për të rigjetur entuziazmin e duhur. Ndaj Kastriotit fitorja është detyrim, jo vetëm për faktin që luajnë ndaj skuadrës së parafundit në kampionat, por mbi të gjitha luajnë në shtëpi, aty ku këtë edicion kanë marrë 60% të pikëve.

Ndalesa e kampionatit i ka shërbyer stafit teknik për të rikuperuar lojtarët, më shumë në aspektin psikologjik pas rezultateve që e larguan nga ëndrra për të sulmuar titullin kampion. Kjo javë shihet shumë e mirë për Teutën, pasi favorizohet edhe nga përballjet e tjera të këtij raundi.

Dy skuadrat e kreut do të përballen midis tyre ndërkohë që Skënderbeu dhe Laçi si ndjekësit më të afërt kanë transferta me koeficient të lartë vështirësie, kurbinasit ndaj Tiranës, kampionët në Gjirokastër me Luftëtarin. Për këtë arsye në sfidën ndaj Kastriotit janë të ndaluar hapat fals dhe vetëm fitorja rikthen entuziazmin për të mbyllur në mënyrën e duhur këtë sezon.