Pas barazimit me Flamurtarin në shtëpi, trajneri Magani i ka lënë një ditë pushim lojtarët e tij dhe sot do të nisin përgatitjet për ndeshjen ndaj Korabit në transfertë. Edhe pse në letër një takim i kalueshëm, ku trepikëshi mund të konsiderohet i sigurt, trajneri pritet të kërkojë nga futbollistët e tij impenjim maksimal, duke parë se dibranët ndalën Vllazninë në javën që sapo u mbyll. Përgatitjet e Teutës nisin sot me dy seanca stërvitore, ndërkohë që kalendari e favorizon disi ekipin bregdetar. Në rast se durrsakët do të fitojnë ndaj Korabit, atëherë mund të quhet dhe java e tyre. Teuta është 4 pikë më shumë se Laçi që mban vendin e parafundit dhe gjashtë pikë larg Luftëtarit që është në vend të katërt.Nëse ekipi kurbinas ndalon Luftëtarin, u jep mundësi durrsakëve të afrohen me gjirokastritët dhe, pse jo, të mendojnë për vendin e katërt. Gjithashtu, një fitore e Laçit në këtë ndeshje do t’u jepte atyre një shpresë më shumë për mbijetesën. Megjithatë, skenarët për momentin janë të shumtë, duke qenë se ka shumë pikë në lojë.
Për këtë arsye, nga futbollistët durrsakë do të kërkohet vetëm përqendrim, në mënyrë që ndeshjet të merren me radhë dhe të kërkohet fitorja në çdonjërën prej tyre. Sa i takon grupit të futbollistëve, ai është i plotë dhe, për momentin, nuk raportohet për lojtarë të dëmtuar. Megjithatë, një panoramë më të qartë në këtë drejtim trajneri Magani do ta ketë gjatë seancës stërvitore të ditës së sotme.