Teuta do t’i rikthehet kampionatit, teksa të hënën do të përballet me Dinamon në “Niko Dovana”.
Edhe pse fituan përballjen direkt me Erzenin javën e kaluar, durrsakët mbeten ende në zonën e ftohtë.
Skuadra e Edi Martinit do të mundohet të lerë pas atë eliminim me penallti në Kupën e Shqipërisë dhe tashmë përqendrimi i vetëm do të jetë ndeshja e radhës me blutë.
Në asnjë mënyrë nuk mund të tolerohet një hap fals, pasi kjo është ndeshja e fundit e fazës së tretë dhe nuk ka më kohë, për më tepër që Dinamo i zhvillon ndeshjet në stadiumin e Durrësit.
Për këtë takim që do të luhet në orën 17:00, Edi Martinit do t’i mungojë Ledio Beqja, kjo për shkak se mesfushori ka plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë dhe është i pezulluar për këtë takim.
Por, kjo nuk është shumë shqetësuese, pasi Arifi do të jetë plotësisht i gatshëm dhe do të luajë në vendin e Beqjes.
Ndërkohë, një tjetër mungesë do të jetë në repartin sulmues.
Teuta nuk do të ketë gati as brazilianin Faust, i cili vijon të mbetet i dëmtuar për shkak të një tërheqjeje dhe këtë ndeshje nuk do të mund të luajë.
Ndërkaq, pjesë tjetër e grupit është në gjendje të mirë fizike, me Filin, Qaqin dhe Kotobellin të cilët janë gati për të zbritur në fushë, edhe pse kjo varet nga formacioni që do të përpilojë shkodrani Martini.
Sa i përket dy takimeve të luajtura deri tani, një fitore shkon në fazën e parë për Teutën me përmbysje, 3-2 në Elbasan, ndërkohë në fazën e dytë Dinamo arriti të fitonte 2-1.