Durrës, 6 mars 2014 – Teuta po përgatitet për sfidën e radhës me Partizanin dhe në kampin durrsak mbizotëron një atmosferë pozitive, ku të gjithë kanë besim te fitorja. Por tashmë Teuta duhet të jetë më agresive në sulm. Të gjithë thonë që Teuta ka ndryshuar, për hir të blerjeve të rëndësishme në merkaton e janarit. Sorrentino i dha udhë një filozofie të tij dhe bëri disa ndryshime në formacionin e parë. Kundër Lushnjës, një fitore 6-1, me 4 gola të Joel dhe 1 të Samb, sulmuesit kamerunas të sapombërritur tek skuadra durrsake. Më pas, të huajt nuk funksionojnë mirë, por edhe Sorrentino ia lë vendin Biturkut, të cilit i duhet të stabilizojë skuadrën për pjesën e mbetur të edicionit. Dhe gjithçka duhet të fillojë nga vija e parë. Fillimisht ishte “bomberi” i kampionatit, Daniel Xhafa, i cili e humbi vendin e titullarit, pasi trajneri italian vendosi të luajë me Joel dhe Samb. Më pas “në forcë” u fut edhe Kalu, një futbollist që sillte me vete një CV për t’u pasur zili. Për fat të keq, të rinjtë nuk po i japin pikë skuadrës që objektivat i ka të pandryshueshme, pasi drejtuesit kanë investuar për skuadrën e re dhe kërkojnë fitore. Ilir Biturku e njeh shumë mirë ambientin, por tani ka në dorë të ndryshojë situatën. Në ndeshjen e fundit ndaj Kastriotit, ka luajtur në vijën e parë me Xhafën (që e ka kthyer sërish si titullar) dhe Samb, duke kthyer në stol Joel, atë të famshmin anti-Lushnjë. Ndërsa tani i duhet të vendosë përfundimisht për të ardhmen.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





