Largimi i fundit nga ekipi i Teutës ka bërë që të shtohet dhe një tjetër lojtar në listën e kërkesave të trajneri Magani. Progni ishte i 12-ti që u largua zyrtarisht nga vlonjatët, ndërsa numri një i stolit durrsak i ka tashmë të qarta idetë se ku duhet të ndërhyjë gjatë merkatos. Në portë pritet ende përgjigjja e Kastratit, ndërsa në mbrojtje duhen afrime pas largimit të disa futbollistëve, më saktë katër të tillë në këtë repart si Borshi, R. Hoxha, E. Hoxha, si dhe Kotobelli. Është rikthyer Shehi dhe mbetet për t’u parë se çfarë do të vendoset për shtatlartin Markoviç.

Gjithsesi, duhen të paktën tre ose katër afrime të tjera në këtë repart. Në mesin e fushës ndoshta ka më pak largime dhe me lojtarët e mbetur Hila, Cyrbja, Tarik, Musta, Papa bën që të kërkohet një organizator i mirë, por dhe alternativë për në krahë.Sulmi është epiqendra e merkatos durrsake, ku duhen me çdo kusht blerje të reja, pasi nuk ka asnjë futbollist. Ribaj, Magani dhe Faizal tashmë nuk janë më pjesë e ekipit. Drejtuesit dhe trajneri do të kërkojnë një sulmues pykë që të jetë ai pika e referimit.Për këto kërkesa që janë të detyrueshme pritet që të fillojë puna për afrimin e tyre, edhe pse janë vëzhguar disa lojtarë, madje ka dhe bisedime, por mungojnë zyrtarizimet. Drejtuesit kërkojnë lojtarë që të ndiejnë peshën e fanellës dhe jo ta shohin ekipin si një skuadër kalimtare.