Teuta është duke vijuar përgatitjet me nga dy seanca në ditë. Trajneri Magani ka rritur dozat në seancat stërvitore për të tijtë, ndërsa një gjë e tillë do të vijojë edhe për disa ditë. Në pritje të takimit të parë për këtë vit të ri kalendarik, atë ndaj Kukësit për Kupën e Shqipërisë më 23 janar, “djemtë e detit” janë në kërkim të kundërshtarit për një ndeshje miqësore. Ky do të ishte një test i nevojshëm për stafin teknik për të parë gjendjen e lojtarëve pas pushimeve të festave të fundvitit.

Ndërkohë, për sa i përket merkatos mësohet se Teuta është në trataiva me dy lojtarë tepër cilësorë, si Plaku e Dosti. Pas Plakut që tashmë duket se është fare pranë zyrtarizimit tek Teuta, klubi durrsak është bisedime edhe me Albi Dostin i cili është i lirë nga kontrata me ekipin bullgar. Ende nuk ka një zyrtarizim, por si Plaku, ashtu edhe Dosti duket se do jenë pranë ekipit durrsak. Ndërkaq pritet edhe afrimi i një mesfushori sulmues serb me shumë eksperiencë.

Lëvizja e Teutës në këtë merkato janari është edhe ajo e afrimit të Serxhio Mukjes. Mbrojtësi i talentuar ka qenë pjesë e Elbasanit U19, ndërsa shihet si mjaft premtues. Mukja ka qenë më parë pjesë e kombëtares sonë U17 dhe U19. 19-vjeçari do të veshë fanellën e Teutës në pjesën e dytë të kampionatit, ndërsa shihet si një tjetër lëvizje që i përket prespektivës. Durrsakët njihen për të tilla lëvizje, duke iu dhënë hapësirë lojtarëve të talentuar, sidomos në këtë sezon, ku trajneri Gugash Magani iu ka dhënë shumë minuta futbollistëve të rinj në moshë.

Teuta do të zhvillojë këtë të enjte një takim miqësor me Partizanin, ku Magani do të ketë mundësinë për të vënë në provë futbollistët.