Durrësi është i gjithi në ftesë, Teuta mbush sot 100 vjeç. Ishte 29 janari i 1920-ës, kur u themelua klubi i futbollit. Në fillesat e saj njihet si “Klubi Sportiv Urani”, e për të kaluar me radhë në “Sport Klub Durrës” apo “Klubi Sportiv Teuta Durrës”. Në vitet e komunizmit njiheshin si “KS Ylli i Kuq Durrës”, “SK Durrës”, “SK Puna Durrës” apo “KS Lokomotiva”, derisa morën emrin që mbajnë sot e kësaj dite, në nder të Mbretëreshës Teutë.Në këtë ditë kaq të rëndësishme dhe jubilare, durrsakët zbritën në fushë për të luajtur ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë.

Skuadra e drejtuar prej Edi Martini sfidoi Erzenin në “Tofik Jashari”. Një ndeshje që durrsakët e morën më shumë se seriozisht. Teuta fitoi 3 me 1 këtë ndeshje duke hedhur një hap të sigurtë në turin tjetër. Golat për durrsakët u shënuan nga Kallaku me 11-metërsh dhe dy gola nga Gruda ndërkohë që 6 minuta nga fundi ngushton diferencën Rezi.Nuk duan assesi ta diskutojnë kualifikimin, pasi për 100-vjetor mendojnë t’u bëjnë tifozëve një trofe si dhuratë. I këtij mendimi është edhe Arbër Çyrbja, i cili komenton fitoren ndaj shijakasve.

Teuta feston 100-vjetorin në Shijak, çfarë vlere merr kjo ndeshje për ditëlindje?

I dhamë rëndësinë e duhur ndeshjes, dhe kjo ishte një dhuratë e vogël për tifozët për këtë ditëlindje. Them e vogël, pasi të madhen mendojmë t’ua japin në fund me ndonjë trofe.

A është Kupa e Shqipërisë rruga më e thjeshtë për të marrë trofe?

Jemi të fokusuar te ky kompeticion dhe do të luftojmë për ta fituar. E rëndësishme është të kalojmë njëherë Erzenin ku kemi bërë vetëm hapin e parë me këtë fitore dhe më pas do të mendojmë për sfidat e radhës që do të na rezervojë Kupa e Shqipërisë.

Sa moral i dha ekipit fitorja ndaj Bylisit në kampionat?

Ishte një ndeshje që të mbush me besim për mënyrën se si u interpretua. Duhet të vazhdojmë me këtë ritëm. Me lojëra të mira, rezultatet vijnë vetë.

Fundjava ju rezervon një ndeshje të rëndësishme, përballë do të keni Tiranën… 

Është një përballje rivalesh, ndaj emocioni dhe spektakli do të jenë të garantuara. Ne nuk do ta nënvlerësojmë, madje e konsiderojmë një nga ndeshjet me të vështira të kësaj faze. Është një skuadër që ka ndërruar trajner dhe efektet e dorës së tij janë të dukshme. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj përballjeje.

Tirana vjen me 5 fitore radhazi. Sa do të ndikojë kjo gjë?

Mjafton që ne të jemi në 100% të dielën. Të tregojmë në fushë të njëjtën ego dhe dëshirë si ndaj Bylisit.

Si është atmosfera në skuadër?

Situata në skuadër ka qenë gjithmonë e mirë, si në humbje ashtu edhe në fitore. Futbolli kështu e ka, ndaj mjafton që të jemi të bashkuar.

Deri ku mund të shkojë Teuta këtë sezon?

Unë mendoj se ne po dhamë 100%, mund të shkojmë shumë larg. Në situata të ndryshme, nuk kemi qenë në maksimum. Por, nëse ruajmë formën aktuale, mund t’i përsëritim rezultatet e dy fazave të para.

Sa i mundshëm është titulli për këtë sezon?

Kampionati është i gjatë. Objektivi ynë është ndeshja e radhës në Tiranë.