Teuta mposhti lehtësisht 3-1 Egnatian, duke konfirmuar formën e mirë të ndeshjeve të fundit. Pesë janë ndeshjet radhazi pozitive për djemtë e Renato Arapit (3 fitore dhe 2 barazime).
Suksesi i sotëm ishte i treti për këtë edicion ndaj ekipit të Zekirija Ramadanit dhe e çon në 9 pikë diferencën e Teutës me Egnatian e vendit të tetë, duke u shkëputur përfundimisht nga zona “play-out”.
Ledio Beqja zhbllokoi me kokë ndeshjen në minutën e nëntë. Goli i parë në Superiore për 20-vjeçarin, teksa katër minuta më vonë Teuta gjeti golin e dytë falë një finalizimi të bukur të Klejdi Dacit.
Delarge shkurtoi diferencën në fundin e pjesës së parë, por anësori e anuloi për pozicion të parregullt të sulmuesit afrikan. Ergys Peposhi veproi bukur në minutën e 60-të, duke realizuar golin e tretë për Teutën.
Vendasit ulën ritmin dhe Egnatia u hodh në sulm në kërkim të golit të nderit, të cilin e gjeti në minutat shtesë me anë të Artur Maganit.