Ecuria në këtë kampionat e ish-ekipit kampion ka qenë me të vërtet jo fort e mirë. Nëse do të shohim ecurinë e Teutës në këtë sezon, duke e krahasuar me sezonin e kaluar, blutë e Shkëmbit kanë humbur 5 pikë më pak se një vit më parë, në të njëjtën periudhë të kampionatit. Pauza e kampionatit e gjen Teutën me 3 pikë, po aq sa Laçi, duke ndarë vendin e 8 dhe 9 së bashku. Teuta e nisi këtë sezon në mënyrën jo më të mirë të mundshme, ku ka arritur dy humbje dhe tri barazime, duke shënuar 2 gola dhe pësuar 8. Ndërsa një sezon më parë, pas 5 javëve të para, Teuta kishte 8 pikë dhe 7 gola të shënuar e gjashtë të pësuar.
Nga ekipi i sezonit të kaluar kanë mbetur vetëm disa lojtarë, ndërsa pjesa tjetër është afruar në këtë merkato dhe deri më tani kjo skuadër ende nuk po bind në rezultate, por të paktën në dy javët e fundit loja po vjen në rritje nga java në javë. Duket se “thembra e Akilit” për bregdetarët ka qenë reparti i prapavijës. Këtë fakt e kanë pranuar trajnerët e ulur në stolin e Teutës këtë sezon si Arapi e tashmë Shkëmbi.
Durrsakët kanë pësuar deri në këtë pikë të sezonit plot 8 gola. Për Teutën, misioni do të kalojë nga mbrojtja, e cila duhet të mobilizohet maksimalisht në ndeshjet e mbetura të kampionatit. Në këto 5 javë realisht Teuta ka pasur probleme në të gjitha sfidat. Reparti i mbrojtjes nuk ka qenë kurrë i plotë, pasi ka qenë i kushtëzuar nga dëmtimet e lojtarëve titullarë.
Përveç Jazxhit, që mungon prej disa kohësh, sfida kundër Bylisit la me probleme edhe mbrojtësin tjetër të qendrës, Harallamb Qaqi. Këto shqetësime, teknikun Shkëmbi e kanë detyruar të modifikojë këtë repart, ku në qendër janë aktivizuar dy lojtarë të krahut të majtë, si Kuros dhe Kotobelli.
Megjithatë, tashmë që kampionati është ndalur, shpresohet që ky repart të kthehet në normalitet me Qaqin dhe Jazxhin, të cilët pritet të jenë gati ndaj Vllaznisë.Teuta ka rinisur sot përgatitjet pas dy ditësh pushim. Pasdite, durrsakët, nën drejtimin e trajnerit Bledi Shkëmbi dhe stafit teknik, kanë zhvilluar seancën e parë stërvitore. Ekipi është stërvitur normalisht dhe grupi është në gjendje optimale.