Teuta po tregohet shumë e kujdesshme në këtë merkato dimri. Zyrtarisht janë bërë tre largime, por me afrimet ende s’e kanë bërë sefte. Megjithatë, klubi është i përqendruar i gjithi për të pasuruar grupin. Kërkohen kualitete dhe ky është kusht i penegociueshëm. Vëmendja është e përqendruar te sulmi, repart që është treguar tejet “i kursyer” në 17 javët e para të këtij kampionati. Vetëm 13 gola të shënuar janë dëshmia më e mirë.

Me malazezin Darko Nikaç që ka ikur në fundin e dhjetorit dhe me afrikanin Abdul Khalid që nuk po bind, përgjegjësit e merkatos dhe vetë trajneri Edi Martini po bëjnë çmos që të gjejnë një “bomber”. Dihet që janari nuk ofron shumë alternativa, por durrsakët nuk kanë në plan që të dorëzohen.

Vllaznia vijon që të jetë e bindur për të afruar sulmuesin fierak të Luftëtarit, Realdo Fili. Mësohet se mes klubit shkodran dhe klubit të Laçit ka një “luftë nervash” për ta bërë të tyrin këtë lojtar. Megjithatë, në klubin kuqeblu pavarësisht se e shikojnë afër, po aq e shikojnë edhe larg këtë lojtar. Kjo, pasi orët e fundit është futur në lojë fuqishëm edhe Teuta. Klubi durrsak duket se ka bërë ofertën më të mirë, por kjo mbetet për t’u parë.

E megjithatë, jashtë fokusit nuk po lihen as të rinjtë premtues. Në planet e klubit janë vënë Ildi Gruda dhe Shefit Shefiti. I pari është vetëm 20 vjeç dhe është aktivizuar për Shënkollin në Kategorinë e Parë.

Sulmuesi ka të dhëna mjaft të mira dhe është dalluar për 6 golat e tij në pjesën e parë të sezonit. Duke qenë se është nga Shkodra dhe një produkt i Vllaznisë, Edi Martini duhet ta njohë mirë dhe nga momenti në moment lojtarin mund ta shohim në Durrës.

I dyti është 21-vjeçar dhe rishtas ka qenë pjesë e Shkëndijës së Tetovës në Maqedoninë e Veriut. Luan edhe ai në sulm, por në 304 minuta (nga 8 ndeshje) që është aktivizuar me ekipin e drejtuar prej Ernest Gjokës nuk e ka gjetur ende rrugën e rrjetës.