Teuta ka arritur të sigurojë një tjetër sulmues nga Superiorja dhe këtë herë bëhet fjalë për ish-in e Tiranës, Dijar Nikqi. Sulmuesi 18-vjeçar ka nisur menjëherë përgatitjet me bregdetarët, duke u vënë nën urdhrat e trajnerit Diego Longo. Teuta ka bërë shumë ndryshime gjatë merkatos së verës dhe mbetet për t’u zbuluar, ndërsa ekipi ka pretendime për këtë sezon, teksa do të luftojë për të arritur Europën. Atmosfera dhe klima brenda ekipit është pozitive, me futbollistët që janë të gatshëm të japin më të mirën nga vetja e tyre për të bërë një sezon pozitiv.

Pasditen e djeshme Teuta ka zhvilluar një seancë stërvitore. Stërvitja, më shumë ka pasur si fokus lojën me top, ndërsa trajneri Longo është fokusuar edhe te taktika. Longo u foli futbollistëve për programin stërvitor. Ai insistoi se Teuta ka një grup kompetitiv dhe me pak më tepër impenjim mund të arrijë gjëra të mëdha në këtë fushatë. Ekipi u stërvit normalisht dhe i gjithë grupi është në gjendje optimale. Ajo çka është më kryesorja lidhet me faktin që të gjithë futbollistët janë të angazhuar për të kryer me korrektësi të gjithë planin stërvitor.