Teuta deri tani është fokusuar te largimet për sa i përket merkatos së verës. Nga ekipi janë larguar Harllamb Qaqi, Realdo Fili, dhe Rodrigo Fasut, ndërsa në dyshim mbetët e ardhmja e mbrojtësit të majtë, David Gjinollari.Deri në fillimin e javës së ardhshme do të shihet nëse ai do të qëndrojë apo do të largohet nga Teuta, pas përfundimit të kontratës. Pjesa tjetër e lojtarëve të vitit të kaluar janë nën kontratë dhe do të vijojnë të jenë pjesë e ekipit për sezonin e ri. Duhet thënë se ndryshe nga ekipet e tjera, te Teuta nuk ka pasur largime në masë dhe kjo nuk krijon nevojën për revolucion.
Nga sa është lënë të kuptohet, thuajse i gjithë grupi i futbollistëve titullarë, që janë nën kontratë me Teutën, do të vazhdojnë me ekipin blu. Nga ana tjetër, pritet të këtë dhe afrime deri në plotësimin e nevojave të skuadrës dhe ardhjes së lojtarëve të nevojshëm për taktikat e Martinit. Deri në këto momente Teuta nuk ka zyrtarizuar asnjë afrim në merkato. Shumë emra po diskutohen me stafin teknik, që po ndjek futbollistë të ndryshëm, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë Shqipërisë.
Prioriteti kryesor për momentin duket sulmi, teksa një “pykë” është lojtari më i nevojshëm. Në sezonin e fundit, Teuta ka vuajtur shumë në fazën ofensive, ndaj në këtë merkato po i shohin me shumë kujdes alternativat e ofruara. Në edicionin e kaluar ishte një sulm jo shumë i mirë, ku edhe pas ardhjes së Faust në janar situata nuk u normalizua. Për momentin është vetëm Daci në majën e sulmit, që edhe pse konsiderohet si lojtar me të ardhmen, nuk mjafton.
Teuta ka vijuar edhe dje paradite përgatitjet, përpos të nxehtit të korrikut. Stafi po punon dita-ditës që ekipi të marrë ngarkesën e duhur pa sforcime. Teuta do të qëndrojë në Durrës deri me 21 korrik dhe më pas do të udhëtojë në Pukë për fazën e plotë përgatitore, ku do të programohen dhe disa takime miqësore. Klima dhe kushtet e mira në qytetin verior pritet t’ia bëjnë më të lehta përgatitjet bluve.