Nga java në javë kampionati fillon e rrudhet dhe epilogut fillon t’i duket “silueta”. Janë lënë pas pesë javë të fazës së dytë, duke qenë ende në lojë edhe 720 minuta. Teuta bëri një fillim për t’u harruar, duke humbur dy ndeshje dhe duhej të vinte e shtuna e 24 marsit që të shijonte fitoren e vetme pas 450 minutave. Por optimizmi i djemve të detit jo vetëm nuk është shuar, por tenton të ndizet nga java në javë. Dhe ky optimizëm mbështetet nga shorti i kampionatit. Pa dashur të nënvleftësohet asnjë takim, por duke analizuar performancën që ka paraqitur çdo ekip deri tani, Teuta i argumenton shpresat e saj për titull.
Kalendari
Tani shfrytëzohet çdo mundësi për titull. Stërvitja, angazhimi, psikologjia, fati dhe shansi, janë që të tërë tregues funksionalë që ndikojnë në atë që quhet fituesja e kampionatit. Në Durrës krahas ndonjë mangësie të paraqitur nga Teuta, e trajtojnë rënien e shpejtë të saj edhe si një shans aspak i favorshëm që i takon ta vuajë.
Tirana vërtet luajti më mirë se Teuta, por fitorja u arrit me autogolin e Stafës. Me Vllazninë një ndeshje më e mirë, por “fatkeqësia” e humbjes mbeti përsëri opsion i pashmangshëm. Dhe absurdi kthehet në logjikë konkrete, kur humbet në dy ndeshje në fushën e saj dhe barazohen transfertat shumë të forta të Vlorës dhe Ballshit. Teuta ka humbur në fushën e saj deri tani 10 pikë, duke zhgënjyer jo pak shpresat për të ruajtur hegjomoninë e kryesueses. Por trajneri Lika lëshon kushtrimin se shpresat nuk janë shuar, e mundësitë nuk janë humbur.
Konsultimi me kalendarin dhe gjykimet paraprake mbi tapetin e parashikimeve, e bëjnë të besojë Teutën në ofrimin e një tjetër realiteti nga ky i tanishmi. Me përjashtim të përplasjes direkte me Skënderbeun në një fushë asnjanëse, pjesa tjetër e ndeshjeve vjen si dhuratë e rënë nga qielli për durrsakët. Teuta pret në shtëpinë e saj Apoloninë (me të cilën arriti të fitojë), Tomorin, Shkumbinin, Kamzën dhe Pogradecin ekipe që renditen nga vendi i 8-të deri tek i 13-të.
Që të pestë këto ekipe në transfertë Teuta i ka mundur. Ndërsa udhëton në Laç (edhe kjo ndeshje zhvillohet në fushë asnjanëse), në Tiranë me Dinamon e vendit të fundit dhe në Krujë, ku gjërat deri atëherë janë thuajse të zgjidhura. E vetmja vështirësi qëndron tek Skënderbeu i fortë i teknikut çek Levi. Krahas stërvitjes, stafi teknik i Teutës po i bën llogaritë me shumë vëmendje, mbi bazën e së cilës do të ndërtojë edhe inkurajimin psikologjik të ekipit. Ndërkohë edhe tifozeria durrsake është në hesapet saj dhe lëshon thirrjen, për më shumë kujdes e vëmendje, për më shumë përqendrim e angazhim, për më shumë optimizëm.
Rivalët
Natyrisht është e drejta e çdo ekipi të kopsitë llogaritë e tij dhe të përcaktojë konkluzionet mbi bazën e tyre. Por në Durrës i konsiderojnë delikate sfidat e Skënderbeut me Teutën, Tiranën dhe dy transfertat me Bylisin dhe Flamurtarin. Ndërsa Tirana e ndodhur në kushte më të lehta nga korçarët, duhet të jetë në sikletin e dy transfertave të Korçës dhe Bylisit. Trajneri Lika pohon se:”Jemi me këmbë në tokë kur gjykojmë, se kampionati do të shoqërohet me të papritura.
Është normale të besojmë në hapat false që i presin t’u ndodhë dy kundërshtarëve tanë, tashmë të deklaruar: Tirana dhe Skënderbeu. Por do t’u bëja thirrje djemve, që të vlerësojmë në maksimum kundërshtarët tanë. Më duhet të pohoj se nuk ka ndeshje të forta dhe të lehta. Tri pikët janë njëlloj, pavarësisht nga kualiteti i kundërshtarit që ndeshemi. Parashikoj surpriza interesante, që mund ti ofrojnë shanse Teutës. Megjithatë gjërat nuk zgjidhen në letër, por në terrenin praktik që ofron fusha e lojës. E deklarojmë edhe njëherë, se Teuta do të besojë për titull deri në minutën e fundit të kampionatit”.