Vetëm 1 pikë në 4 ndeshjet e fundit, një penallti e humbur, vetëm dy gola të shënuar dhe në fund, një distancë që thellohet me 4 pikë me Bylisin e Kukësin.Vetëm një sukses në këtë kampionat dhe 4 ndeshje radhazi pa fitore janë tregues i startit larg pritshmërive të sezonit nga Teuta.3 humbje dhe një barazim në javët e fundit rikthyen hijet e edicioneve 2014-2015, ku blutë kanë luftuar deri në fund për mbijetesën dhe fitorja në javën e 35-të ndaj Apolonisë bëri që blutë të shpëtojnë.Është e lehtë të lexosh në deklaratat që vijnë nga kampi blu, ndjesinë se i kanë të gjitha mundësit ta kalojnë këtë moment, por në fakt, përtej ndjesive apo faktorëve të tjerë të jashtëm, Teuta për momentin është zonjë e fatit të saj dhe i ka të gjitha mundësitë për të mos lejuar përsëritjen e një finaleje shqetësuese si ajo e 7 viteve më parë.

Për të larguar hijet e së kaluarës, tani Teuta do të kërkojë të kthehet te fitorja prej ndeshjes me Kukësin. Suksesi do të vlente për klasifikimin, për të futur në krizë një rival direkt, por edhe për moralin, sepse në javët pasardhëse kalendari bëhet më i vështiri me duelet përballë Tiranës, Vllaznisë e Kastriotit.Shumë raste të shpërdoruara, penallti të humbura, probleme të shumta në mbrojtje, është ky pikësëpari problem për t’u rregulluar, aspekti psikologjik për të gjetur përqendrimin dhe ndoshta për t’i përjetuar momentet kyçe me më pak tension.Teutës i duhet të fitojë e të lërë pas dy prej ekipeve sipër saj në fund të këtij kampionati dhe për vetë organikën dhe potencialin që ka, i ka të gjitha mundësitë për t’ia dalë.

Një detaj i rëndësishëm maksimal është se përballjen me ekipet e poshtme në këtë fazë i luan në shtëpinë e saj, ndeshje që duhen fituar aty, në fushën e lojës, pa shumë nëse dhe por. Teuta e ka luksin për ta vendosur vetë fatin e saj.Pas ndeshjes me Erzenin, Bledi Shkëmbi dhe staf i tij kanë vendosur tani që është ndërprerë kampionati, trajneri ka dashur t’i japë pak frymëmarrje ekipit. Tani është pushim që trajneri u ka dhënë lojtarëve.Qëllimi është që futbollistët të rigjenerojnë forcat pas një kalendari të ngjeshur dhe disi të çrregullt për shkak të ndeshjeve të Kombëtares.Nga sa mësohet skuadra do të kthehet në stërvitje më 21 nëntor, ditën e hënë, ku dhe do të vijojë nga përgatitjet për sfidën e javës së 13- të ndaj Kukësit.