Krahas angazhimit në ndeshjet e kampionatit kombëtar, ku të vjen keq humbja dramatike pas 144 minutash lojë me Studentin 3-2, por ndërkohë edhe fitorja spektakolare 3-0 me Vllazninë në Shkodër, Teuta po përgatitet edhe për një eveniment të rëndësishëm. Me 5-6 mars në Drenicë-Skënderaj, zhvillohet Java kulturore “Jetojmë me lavdinë tuaj”. Kjo javë i kushtohet heroit historik të Kosovës Adem Jasharit dhe kujtimit të veprimtarisë patriotike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Evenimenti zhvillohet nën kujdesin e Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit Komunal të Skënderajt. Ajo që vlen të evidentohet, është turneu i volejbollit me pjesëmarrjen e katër ekipeve, tri kosovare dhe vetëm një shqiptare. Ndër ekipet kosovare janë Drenica-Skënderaj, Liria e Zherovjanit, Theranda e Pejës, ndërsa nga Shqipëria i vetmi ekip është kampionia e vendit, Teuta e Durrësit. Më 5 mars zhvillohen dy takime, për të përcaktuar finalistët dhe në orën 14.00 të 6 marsit, përpjekja sportive fokusohet në fituesin e kupës “Adem Jashari”. Në këtë turne Teuta shoqërohet nga sekretari i FSHV-së Leonard Tase dhe sekretari i klubit shumësportesh Teuta, Emilian Jani. Trajneri i Teutës, maqedonasi Hari Nakovski shprehet i bindur se do të kthehet në Durrës me trofeun “Adem Jashari”. Kjo sipas tij, vlen si një shtysë psikologjike për të krijuar klimën e nevojshme, që Teuta të përsërisë suksesin e vitit të kaluar, atë të kampiones së vendit.