Teuta do të nisë të martën e 4 korrikut përgatitjet për sezonin e ri futbollistik. Pas një sërë diskutimesh, drejtuesit blu fillimisht vendosën Diego Longon për pankinën për sezonin e ardhshëm. “Djemtë e detit” siguruan disa javë nga fundi qëndrimin në elitë dhe tentuan në fund për një vend në Europë, por nuk ia dolën dhe projekti i ri në Superiore do nisë pikërisht nga Teuta e fund sezonit të shkuar. Jo vetëm Diego Longo, por edhe transferimet e reja të merkatos së verës do të zbresin të martën për përgatitjet e sezonit të ri me 2 herë kampionët e Shqipërisë. Duke filluar që nga rikthimi i Ergys Peposhit, i cili sezonin e kaluar e kaloi te Kukësi.

Nuk do të mungojë as prania e blerjeve të fundit të verës, si Aldi Gjumsi që vjen pas një eksperience disavjeçare te Tirana, Gjata i Apolonisë që mbylli një sezon shumë pozitiv me fierakët në fazën sulmuese, ndërkohë që priten të tjera surpriza për repartin difensiv, por edhe në mesfushë ku përpos përgatitjeve në fushë do vijojë edhe merkatoja. Teuta në merkaton e futbollit shqiptar është duke bërë goditje, madje po synon që të afrojë lojtarë që kanë spikatur në ekipet pretendente. Mësohet se drejtuesit e klubit aktualisht po punojnë për përzgjedhjen e disa lojtarëve cilësorë që do të jenë pjesë e Teutës, për sezonin e ri. Gjithsesi, baza e ekipit pritet të jetë pak a shumë e njëjta, me disa përforcime në të dyja repartet: mesfushë dhe mbrojtje. Në ditët në vazhdim lojtarë të rinj pritën t’i bashkohen Teutës deri në përfundim të merkatos.

Drejtuesit po shohin tregun vendës dhe atë të rajonit, për të gjetur lojtarët e duhur dhe që mund të përshtaten sa më shpejt, pasi dhe koha në dispozicion është e madhe. Teuta ka piketuar të paktën dy-tri përforcime në merkaton e verës, si mundësinë më të mirë për të qenë pretendente në Kategorinë Superiore. Fakti që blutë janë një klub tradite dhe kanë marrëdhënie të mira me klubet e tjera të Superiores, pritet t’ua bëjë më të lehtë ndërhyrjen në merkato. Gjithsesi, mbetet e gjitha për t’u parë në vazhdim dhe puna që do të bëjë klubi me përforcimet në merkato. Megjithatë, baza e skuadrës do të jetë e njëjta dhe bëhet fjalë vetëm për “arnime” që mund t’i bëjnë punë skuadrës për sezonin e ri në kampionat. Pritet që javën e ardhshme të ketë konkretizime në merkaton e durrsakëve.