2 Gusht 2014 – Pas disa ditëve seanca intensive stërvitore në Durrës ekipi durrsak do të niset për një tjetër minifazë përgatitore por këtë herë në Maqedoni. Ditën e hënë djemtë e detit do të udhëtojnë për në Ohër të Maqedonisë ku do të qëndrojnë 10 ditë dhe do të zhvillojnë seancat stërvitore me ngarkesë të plotë madje drejtuesit e Teutës kan parashikuar për të zhvilluar edhe disa ndeshje miqësore gjatë kësaj periudhe. Durrsakët do të akomodohen në hotelin tepër luksoz Belvedere në Ohër dhe do të zhvillojnë stërvitjet dhe ndeshjet miqësore në kompleksin modern sportiv pranë zonës së akomodimit.

Pak e nga pak Teuta po kompletohet. Pas afrimit të qendërmbrojtësit Erand Hoxha, ish-kapiten i Besës, pritet afrimi i senegalezit Kasim Sumare. Mbrojtësi i majtë 22-vjeçar do të kompletonte repartin e ofensivës, ku së bashku me E. Hoxhën, R, Hoxhën etj., do të formojnë një mbrojtje të hekurt. Lojtari i Kombëtares së Senegalit mendohet të jetë një përforcim i madh për skuadrën e Teutës, e cila pret të afrojë edhe lojtarë të tjerë. Me afrimin e këtyre dy lojtarëve, reparti i mbrojtjes thuajse është i kompletuar, ndërsa pritet me interes rikthimi në stërvitje i të dëmtuarve. Në prag të startit të sezonit të ri futbollistik 2014-2015 Teuta vuan pasojat e dëmtimeve.

Në radhët e Teutës janë tre lojtarë të dëmtuar: Dita, Çyrbja dhe Hodo. Stafi mjekësor i Teutës po bën të pamundurën për t’i rikthyer sa më shpejt të jetë e mundur lojtarët në dispozicion të teknikut Hasan Lika, i cili po punon në drejtim të ndërtimit të skuadrës. Çyrbja pësoi një tjetër dëmtim disa javë më parë, fare pak ditë pas riaftësimit nga dëmtimi që i kushtoi pjesën e dytë të sezonit 2013-2014. Ndërsa dëmtimi i Ditës dhe Hodos nuk është i të njëjtës shkallë dhe pritet që dita-ditës mesfushorët t’u rikthehen ambienteve sportive për të vazhduar punën së bashku me skuadrën.