Lojtarët e Teutës kanë vijuar përgatitjet për ndeshjen e radhës me Laçin që do ta zhvillojnë në “Niko Dovana” të dielën në orën 18:00. Kjo është një sfidë që për durrsakët vlen shumë, aq më tepër që luajnë me një ekip, i cili lufton për mbijetesë dhe fitorja është detyrim. Blutë e drejtuar nga Edi Martini kanë zhvilluar një seancë stërvitore me intensitet të plotë në ambientet e stadiumit “Niko Dovana”.Atmosfera është e kënaqshme, dhe kundër kurbinasve synohen tri pikët me synimin për të larguar nga fundi i klasifikimit. Në prolog të stërvitjes, trajneri Martini u foli futbollistëve për rëndësinë e kësaj ndeshjeje, duke u kujtuar se në këtë moment rëndësi kanë vetëm pikët.

Ai insistoi se Teuta ka një grup kompetitiv dhe me pak më tepër impenjim mund të arrihen gjëra të mëdha në këtë fushatë. Atmosfera në skuadër është e lartë, ndërsa i gjithë grupi do të jetë në dispozicion të stafit teknik, ku dyshimi i vetëm mbeten Goxha dhe Karabeci, të cilët janë të dëmtuar dhe vijojnë me fazën e riaftësimit.Karabeci pritet të bashkohet me grupin nesër ku do të shihet a është gati për ndeshje. Me një seancë të zhvilluar pasdite ka vijuar edhe java anti-Laçi, vështirësia është e madhe, e sidomos kur dihet që përballë kanë një kundërshtar që vjen pas një ecurie jo të mirë. Megjithatë, të besuarit e Martinit besojnë se do t’ia dalin.

Teuta ka vijuar sot procesin përgatitor në prag të sfidës me Laçin që do të luajnë ditën e diel. Në Durrës janë të bindur se këtë javë do t’ia dalin me fitore, ndaj edhe do të synojnë që të sigurojnë tri pikët në sfidën me Laçin.Tashmë, trajneri Edi Martini pret që të ketë të gjithë grupin gati në sfidën e radhës. Skuadra ka punuar më së shumti në lojë, teksa Martini e ka ndarë grupin në dy pjesë.Ra si zakonisht në sy loja e fortë e skuadrës, ku të gjithë futbollistët prej kohësh po kërkojnë një vend titullari në skuadër dhe po mundohen t’ia mbushin mendjen trajnerit që ata janë të duhurit për 11-shen e parë.

Tashmë synohet fitorja dhe aq më tepër që përballë kanë një ekip si Laçi dhe Martini bashkë me të besuarit e tij do të hyjnë në fushë për të marrë fitoren. E vështirë, por jo e pamundur, gjithsesi, në Durrës janë duke e vlerësuar maksimalisht kundërshtarin e radhës.Teuta është në provën e vazhdimësisë dhe natyrisht atë për të bërë të madhen edhe përballë Laçit. Pretendimet në Durrës janë që të dalin sa më shpejt nga zona e ftohtë dhe për t’u arritur në kampionat vlen vazhdimësia, pikët mbeten njësoj ndaj çdo kundërshtari.Skuadra vjen në një moment jo të mirë, ndërkohë që ndaj Partizanit skuadra shfaqi sërish oshilacione. Ndaj Laçit është një skuadër jo shumë fatsjellëse për Teutën, pasi ndaj tyre Teuta ka pasur gjithmonë vështirësi.