Nga pretendimet për titull te rreziku për mbijetesën. Teuta e këtij sezoni ka dalë jashtë pritshmërive, sepse si një kampione në fuqi dhe me investimin e bërë nga klubi, u mendua se do të ishte sërish mes pretendenteve për të fituar trofe.Mirëpo, pas 27 javësh kampionat ka vetëm dy pikë më shumë se vendi i tetë, që të çon në një ndeshje shtesë për qëndrimin në Superiore. Nga ana tjetër, edhe pse është në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, ka humbur ndeshjen e parë në Durrës ndaj Laçit dhe i duhet një përmbysje në sfidën e kthimit më 13 prill.
Barazimi i fundit në shtëpi ndaj Skënderbeut mërziti jo pak stafin durrsak, për më tepër që tani kanë edhe kalendarin kundër. Këtë të shtunë Teuta do të luajë në transfertë ndaj Partizanit, një ndeshje që do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”.
Durrsakët kanë një kujtim jo të mirë nga faza e dytë dhe e tretë ndaj të kuqve, pasi janë mundur respektivisht 2-1 dhe 0-4. Por në këtë ndeshje të parë të fazës së katërt “djemtë e detit” e kanë të qartë se duhet të mos dalin pa pikë, pasi në të kundërt do të rrezikonin shumë.Të besuarit e Arapit synojnë suksesin, duke marrë si shembull pozitiv atë që bënë dy javë më parë në transfertën e Laçit. Interesant është fakti se të tria takimet e zhvilluara deri më tani për kampionat mes dy skuadrave janë luajtur në Elbasan, që është përdorur si stadium pritës jo vetëm nga Partizani, por edhe Teuta.Me vetëm një gol në dy takimet e fundit, problemi në kampin blu mbetet finalizimi, një detaj që u evidentua edhe në sfidën me Skënderbeun, ku disa raste të pashfrytëzuara mund të kishin ndryshuar rrjedhën e lojës.
Në janar klubi afroi për të forcuar repartin e ofensivës Rubin Hebajn dhe Klejdi Dacin. I pari ka arritur të realizojë katër gola, ndërsa i dyti që vjen në huazim nga Kukësi, vetëm një gol.
Stafi teknik pret më shumë nga kjo dyshe, që shpesh ka bërë edhe rrotacion. Të shtunën në “Elbasan Arena” Teuta do të kërkojë triumfin e qetësisë, pasi në rast të një tjetër rezultati negativ, gjithçka do të komprometohej. Situata në tabelë nuk është e mirë dhe për më tepër që klubi e nisi me të tjerë objektiva dhe tashmë ekipi ka dalë totalisht nga synimet minimale, që ishte sigurimi i Europës përmes kampionatit.
Dy ndeshjet e radhës, fillimisht për javën e 28-të ndaj Partizanit e më 13 prill për sfidën e kthimit me Laçin në Kupë, janë vendimtare për ecurinë e durrsakëve. Arapi pret një sforco nga sulmuesit, veçanërisht Hebaj dhe Daci që kanë luajtur në majë, por pa harruar këto lojtarët me shumë eksperiencë që ka në përbërje si Jahmir Hyka dhe Sebino Plaku, të cilët ishin titullarë ndaj Skënderbeut.