DURRES, 29 mars 2013 – Teuta është nisur drejt Korçës për të luajtur nesër ndaj Skënderbeut. Durrsakët u kanë dhënë fund përgatitjeve, ndërsa pasditen e sotme rreth orës 17.00 ekipi u nis drejt qytetit lindor, për t’u akomoduar dhe kaluar natën në një nga hotelet e Pogradecit.

Në këtë përballje kaq të vështirë dhe delikate “djemtë e detit” do të kenë dy mungesa.

Mesfushori Emiliano Veliaj dhe mbrojtësi Brazilian Da silva nuk kanë udhëtuar me skuadrën, ndërsa pjesa tjetër ka konfirmuar se është gati për të zbritur në fushë.

Pas seancës së fundit stërvitore tekniku Gugash Magani tha për Agjencinë e Lajmeve “Dyrrah” se skuadra është gati për këtë përballje, ndërsa theksoi se në Korçë do të luajnë për fitore.

“Është një ndeshje shumë e vështirë dhe këtë e dimë shumë mirë, por nga ana tjetër nuk është se i druhemi kundërshtarit. Skënderbeu është një skuadër e fortë, por ne kemi treguar se kemi zhvilluar ndeshje të mira në disa transferta të tilla. Kemi një skuadër mjaft cilësore dhe të aftë të mposhtë çdo kundërshtar. Ky fakt vlen që të shpresojmë të kthehemi me një rezultat pozitiv në Durrës”, u shpreh tekniku durrsak.

Ndërkohë lojtarët Xhafaj, Osmani, Sheta, Mancaku kanë dhënë opinoinin e tyre për këtë ndeshje duke nënvizuar faktin se do të japin maksimumin për të arritur një rezultat pozitiv dhe për të kënaqur tifozerinë durrsake.

Sheta: “Është një ndeshje që mezi e kemi pritur dhe shpresojmë të marrim më të mirën prej saj. Jemi përgatitur gjatë për këtë përballje dhe besoj se kemi bërë përmirësim të ndjeshëm. Skuadra po kalon moment të mirë dhe këtë e konfirmojnë rezultatet e ndeshjeve të fundit. Do japim maksimumin për ta fituar këtë ndeshje”.

Xhafaj: “E njoh mirë Skënderbeun dhe e vlerësoj si kundërshtar. Ata luajnë në fushën e tyre dhe mendoj se janë më të favorizuar se ne në këtë sfidë. Gjithsesi do të jetë fusha e lojës ajo që do të tregojë se kush është skuadra më e mirë. Kam luajtur në Korçë dhe ruaj një respekt të veçantë për tifozët, qytetin, por edhe skuadrën e Skënderbeut, me të cilën fituam edhe kampionatin. Gjithsesi, këtë radhë do të kthehem si kundërshtar dhe do të përpiqem me të gjitha mënyrat për ta mundur Skënderbeun”.

Mancaku: “Jemi gati për përballjen më të vështirë të sezonit. Skënderbeu duhet të ketë kujdes, pasi në fushë do të ketë një skuadër mjaft të fortë dhe të motivuar. Jemi koshient për faktin që përballë do të kemi një skuadër mjaft të fortë, kampionen ne fuqi, por në të njëjtën kohë edhe udhëheqëse e kampionatit, por megjithatë kemi besim tek aftësitë tona dhe besojmë se do t’ia dalim”.

Osmani: “Kthehem në qytetin tim të lindjes, për të luajtur me skuadrën ku nisa të hidhja hapat e para në karrierë. Ndihem mirë, por shumë i emocionuar. Jam shumë i lumtur që po kthehem në qytetin tim, ku pavarësisht se do luaj si kundërshtar, pres të kem mbështetjen e dy tifozerive”.

/m.l. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/