Ashtu si shumë kampionate në botë, edhe Kategoria Superiore është ndërprerë për shkak të ndeshjeve të Kombëtares ndaj Anglisë dhe Andorrës. Pikërisht për shkak të kësaj ndërprerjeje, në klubin e Teutës stafi dhe lojtarët kanë pasur mundësi të rikuperojnë energjitë.

Blutë kanë zbritur në fushë për të vijuar përgatitjet për ndeshjet ndaj Skënderbeut për llogari të javës së 30-të. Stafi teknik ka përfituar nga java e plotë e kampionatit për të korrigjuar disa gjëra në skuadrën dhe për të punuar me ekipin në rritjen psikologjike, për të përballur një sfidë, siç do të jetë ajo e fundjavës së ardhshme ndaj Skënderbeut.

Barazimi ndaj Partizanit sigurisht që nuk ishte ajo që duhej, por tashmë me kalimin e javëve dhe afrimin e fundit është rritur adrenalina. Teuta në tri javët e fundit ka pasur mungesa. Ndaj Partizanit ishte detyrë që Teuta të merrte pikët e plota, por s’ia doli, teksa tashmë nuk bën sens dhe pritet reagim i menjëhershëm. Pauza e kampionatit vjen në një nga momentet më të mira të këtij sezoni dhe është parë si një motiv pune më shumë për të gjithë futbollistët. Me një seancë të zhvilluar pasdite, skuadra ka nisur përgatitjet anti-Skënderbeu. Stërvitja u zhvillua në kushte mjaft të mira dhe zgjati rreth një orë e gjysmë. Trajneri kërkoi ritëm të lartë, me synim të përgatitjes sa më të mirë të futbollistëve.

Teuta ka kalendar të vështirë në gjashtë javët e Superiores. Nga gjashtë takime që ajo luan deri në fund, tre prej tyre i zhvillon në Durrës. Kështu, Teuta e rinis me Skënderbeun në Durrës, më pas Teuta udhëton në Shkodër dhe Elbasan për tu përballur me Vllazninë dhe Dinamon. Teuta luan sërish në shtëpi pas dy javësh dhe përballë do të këtë Laçin. më pas udhëton sërish në transfertë ndaj Tiranës e në fund e mbyll me ndeshjen në Durrës ndaj Egnatias.