Durrës, 25 qershor 2014 – Teuta më datë 1 korrik do të zbresë në fushë, për të nisur punën për sezonin e ri futbollistik. Pas disa ditëve përgatitjeje në Durrës, ashtu siç është bërë zakon tashmë, ekipi do të zhvillojë një fazë përgatitore jashtë Shqipërisë. Ndonëse nga klubi nuk është përcaktuar vendi dhe axhenda e takimeve miqësore, presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, bëri të ditur se po studiohen disa alternativa.
Sipas tij, opsione janë vende si Bullgaria, Sllovenia apo edhe Italia, por ende nuk është vendosur përfundimisht. Kjo, sipas presidentit të Teutës, do të varet nga buxheti i klubit dhe efektshmëria që sjell për ekipin secili nga vendet që po studiohet. I sigurt është fakti që durrsakët për rreth dy javë do të stërviten në njërin nga vendet e mësipërme.
Ndërkohë që shumë shpejt nga klubi pritet të zbardhet vendi se ku do të zhvillojë përgatitoren. Është kjo një ndër arsyet se pse klubi është treguar kaq aktiv në merkato këto ditë. Presidenca dhe stafi dëshirojnë që të formojnë ekipin sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që trajneri Hasan Lika të fillojë nga puna sa më shpejt.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





