Në Durrës ishte krijuar ideja se mesfushori Albi Dosti do të rikthehej në “shtëpi” pas “aventurës” së tij 6-mujore në skuadrën bullgare të Montanës. Kjo edhe për shkak se 24-vjeçari, prodhim “Made in Teuta”, që nga dhjetori ishte bashkuar me “djemtë e detit” në stërvitje, duke hamendësuar zyrtarizimin e tij gjatë merkatos në radhët e durrsakëve.

“Prej muajit dhjetor kam vijuar përgatitjet me ekipin e Teutës dhe në ditët e fundit po zhvillonim tratativa që të luaja me ish-skuadrën time, por nuk u arrit marrëveshja, ndonëse dëshira ishte. Gjithsesi, edhe pse nuk do të jem pjesë e skuadrës, unë i uroj sa më shumë fat dhe ekipi së bashku me drejtuesit të arrijnë objektivat që kanë. Pa dyshim që meritojnë një falënderim si trajneri Magani dhe stafi i tij, ashtu dhe presidenti, për mundësinë që më dhanë dhe që më bënë pjesë të skuadrës gjatë kësaj kohe, duke e zhvilluar fazën përgatitore me ekipin. Tani po shoh disa mundësi të tjera, pasi kam oferta në Shqipëri apo jashtë pasi kam edhe disa mundësi”, ka deklaruar fantazisti durrsak Dosti duke fashitur kështu çdo mundësi për të luajtur në radhët e Teutës.

Ndërkohë, për stafin teknik dhe trajnerin Magani, ka mjaftuar miqësorja ndaj Besëlidhjes për të krijuar bindjen se futbollisti serb Branislav Staniç, nuk ka nivelin dhe nuk përmbush kërkesat e tyre, për ta përfshirë në radhët e skuadrës së Teutës.