Kastrioti ka arritur të marrë një fitore shumë të rëndësishme për mbijetesën, teksa në “Loro Boriçi” mposhti Teutën e Renato Arapit.
Krutanët i falen në këtë mënyrë brazilianit Kaina për 3 pikët e dërgojnë Kastriotin në vendin e 7-të, duke dalë nga zona e nxehtë dhe duke “zhytur” Egnatian në vendin e 8-të.
Edhe pse durrsakët ishin më kërkues me Vilën dhe Kotobellin të cilët gjetën gati portierin Sali, ndërsa pak minuta më pas Jazxhi do të gjuante sipër traut të portës.
Krutanët u “zgjuan” dhe në minutat në vazhdim morën “frenat” në dorë, teksa rrezikuarn portën e Qirkos me anë të Hasanit.
Në minutën e 41-të erdhi goli i brazilianit Kaina, i cili përfitoi nga gabimi i Teutës në largimin e një topi nga zona. Sulmuesi nuk fali brenda zone dhe shënoi për Kastriotin.
Më pas provoi edhe Zogaj të shënonte, por Qirko në dy kohë e ndali topin e gjuajtur me kokë nga sulmuesi anësor.
Kastrioti pati një tjetër rast në pjesën e dytë, kur Karakaçi shmangu kë i dilte para dhe në fund portieri i Teutës nuk e lejoi të asistonte për lojtarët krutanë që ishin në zonë.
Durrsakët nuk kishin fuqi të reagonin. Kastrioti nuk la hapësira dhe herë pas here u mundua edhe të dilte përpara, por pa mundur ta shënonte.