9 mars 2015 – Teuta e Durrësit shënoi një rekord negativ në këtë sezon në transfertë me Apoloninë.

"Djemtë e Detit" pësuan humbjen e gjashtë radhazi në kampionat, ecuri kjo që i bën kandidatë potenciale për të rënë nga kategoria. Suksesi i fundit në Superiore i durrsakëve është ai me Vllazninë më 31 janar, në sfidën e shtëpisë me Vllazninë që përfundoi me rezultatin 2-1. Që nga ajo ndeshje durrsakët kanë pësuar 6 humbje të njëpasnjëshme, që e vënë në rrezik serioz mbijetesën në elitën e futbollit shqiptar.

Rënia e lirë nisi me disfatën 1-0 me Elbasanin, vijoi me rezultatet negative me Lacin, Partizanin, Skënderbeun dhe Kukësin, për të kulmuar me humbjen e fundit në Loni Papuci me Apoloninë. Në këto 6 ndeshje negative, ndër të cilat 2 në Niko Dovana, Teuta ka pësuar në total 14 gola dhe ka shënuar 5. Gjatë muajve të parë të 2015-ës, Teuta ka pësuar në total 8 takime, ndër të cilat ka arritur të fitojë vetëm një herë, pikërisht në takimin e Niko Dovanës me Vllazninë.

Ndryshimet gjatë pauzës së janarit nuk sollën impakt pozitiv, përkundrazi shpeshherë "Djemtë e Detit" janë lënë në baltë nga ata elementë, që u afruan në skuadër falë eksperiencës që kishin në elitën e futbollit shqiptar. Situata e Teutës mund të komplikohet edhe më shumë në përfundim të javës së 27-të, pasi në fundjavë formacioni i Gentian Begejës do të presë Tiranën në Niko Dovana, ndërsa Apolonia pretendon të marrë pikë në transfertë me Lacin, pas 7 pikëve të grumbulluara në 3 ndeshjet e fundit. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/